Lidhje

Merrick Garland, kandidat për Gjykatën e Lartë


Presidenti Barack Obama ka zgjedhur gjykatësin Merrick Garland si kandidatin e tij për Gjykatën e Lartë, për të zëvendësuar ish-gjykatësin Antonin Scalia i cili vdiq muajin e kaluar.

63-vjeçari Garland, i cili konsiderohet i moderuar, është aktualisht Kryetari i Gjykatës së Apelit për Distriktin e Uashingtonit. Ndër ata që votuan në vitin 1997 për të konfirmuar emërimin e tij në rolin aktual ishin shtatë senatorë republikanë që janë edhe sot në Kongres.

Presidenti Obama tha se zoti Garland është një jurist që ai beson se është ndër më të kualifikuarit për të shërbyer në gjykatën më të lartë të vendit. Ai tha se e kishte zgjedhur Merrick Garland si kandidatin e tij për këtë post, pasi kishte kërkuar dikë me “një mendje të pavarur, me të kaluar të pacënuar dhe që zotëron në mënyrë të padiskutueshme ligjin”.

Republikanët në Kongres kanë thënë se do ta bllokojnë kandidatin që propozon presidenti. Ata shpresojnë që një kandidat republikan do të fitojë zgjedhjet presidenciale të nëntorit, dhe do të emërojë një jurist me pikëpamje konservatore si anëtar të Gjykatës së Lartë.

XS
SM
MD
LG