Lidhje

Mësimet që ka nxjerrë Siria nga konfliktet në botën arabe


Mësimet që ka nxjerrë Siria nga konfliktet në botën arabe
Mësimet që ka nxjerrë Siria nga konfliktet në botën arabe

Me bllokimin nga Rusia dhe Kina të rezolutës së OKB-së për të dënuar shtypjen e protestave në Siri, prespektiva për t’i dhënë fund shpejt konfliktit duket e zbehtë. Presidenti Bashar al-Assad mund të mbështetet gjithashtu në disa lojtarë të tjerë të rëndësishëm në rajon. Korrespondentri i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga kryeqyteti libanez, Bejrut mbi historinë komplekse dhe aleancat në Lindjen e Mesme që po i japin formë përgjigjes ndaj kryengritjes në Siri.

Protestuesit sirianë në rrugët e Damaskut dërguan mesazhin e tyre në Kombet e Bashkuara, duke i vënë zjarrin flamujve iranianë, rusë dhe kinezë – të gjithë aleatë të qeverisë siriane.

Kryengritja po bëhet e gjatë dhe brutale. Analistët thonë se qeveria siriane ka nxjerrë mësime nga mbarë bota arabe. Analisti Paul Salem drejton qendrën Carnegie për Lindjen e Mesme.

“Regjimi në Siri ka bërë llogaritë e veta, ka mësuar nga përvoja në Libi dhe e ka llogaritur përgjigjen e saj të jetë e ashpër, por pa u mburrur për të dhe pa folur hapur për të. Ata po përdorin forcën por po flasisn me terma të butë. Ata panë vende si Egjipti që kishte bërë kompromise me opozitën.. dhe arritën në përfundimin se në se bën kompromis në fillim, do të humbasnin gjithshka më pas”.

Ka mësime historie të tjera në vende fqinje si Libani, i cili ishte në luftë civile nga vitet ‘70 dhe ‘80.

Ashtu si Libani, Siria përbëhet nga një mozaik besimesh të ndryshme – sunitë dhe shiitët, alavitët, ku përfshihet presidenti Bashar al-Assad dhe pjesa dërrmuese e partisë në pushtet si dhe të krishterët dhe druzët.

Bejruti, tani strehë e disa opozitarëve sirianë në mërgim, ende mbart plagët e atij konflikti brutal.

Eshtë një luftë që korrespondon me atë në Siri sot, thotë zoti Salem.

“Ata i përdorën mësimet në një mënyrë tjetër. Regjimi po kërcënon me efektshmëri popullin sirian se në se do të rrëzojnë rregjimin ata do të kenë luftë civile.”

Më në lindje, Siria mund të mbështetet tek Irani si aleati i saj kryesor. Atje, Presidenti Mahmoud Ahmedinejad ka kritikuar vazhdimisht vendet arabe që i bëjnë presion Sirisë t’i jap fund shtypjes.

Ai thotë se një nga skenarët më të hidhur dhe të pakuptimtë është se udhëheqësit arabë që nuk kanë konceptin e zgjedhjeve të lira në kulturat e tyre, janë mbledhur dhe kërkojnë të nxjerrin dekrete për lirinë dhe demokracinë në Siri.

Ndërsa presidenti Assad gëzon një mbështetje rajonale, do të jetë e vështirë për komunitetin ndërkombëtar të izolojë Damaskun. Rusia dhe Kina e kanë bërë gjithashtu të qartë se nuk do të mbështesin ndryshimin e regjimit përmes Kombeve të Bashkuara.

Vetëm shpërthimi i një dhune të një shkalle më të madhe mund të nxiste ndërhyrjen nga jashtë, thotë analisti Paul Salem.

“Nëse ndodh diçka dramatike dhe në se shtypi Perëndimor e kap dhe kjo ndikon në opionionin publik, në fund të ditës politikanët janë politikanë dhe u duhet të veprojnë për ato që mendon publiku. Kjo është ajo që ndodhi në Libi dhe në Kosovë.”

Tani për tani analistët thonë se ndarjet ndërkombëtare nënkuptojnë se ka pak shpresë për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit në Siri.

XS
SM
MD
LG