Lidhje

Meta: Diplomacia shqiptare po intensifikon përpjekjet për njohjen e Kosovës

  • Laura Konda

Meta: Diplomacia shqiptare po intensifikon përpjekjet për njohjen e Kosovës

Meta: Diplomacia shqiptare po intensifikon përpjekjet për njohjen e Kosovës

Udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës ndodhen në Nju Jork për t'iu kundërvënë Rezolutës serbe, duke e cilësuar atë si një veprim të panevojshëm dhe në kundërshtim me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një opinion që ishte kërkuar nga vetë Serbia. Pjesë e përpjekjeve për të bllokuar rezolutën e Serbisë është edhe diplomacia shqiptare. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta ndodhet në Nju Jork, nga ku dha një intervistë për programin "Ditari":

Zëri i Amerikës: Zoti Meta a mund të quhet e tejkaluar përplasja e Serbisë me vendet perëndimore lidhur me rezolutën për Kosovën?

Ilir Meta: Do të ishte shumë më mirë në rast se Serbia do të kishte dëgjuar që në fillim BE-në dhe nuk do të kishte iniciuar një rezolutë të njëanshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por sidoqoftë më mirë vonë, dhe ne shpresojmë që gjatë këtyre momenteve që po bëjmë dhe këtë intervistë, të kompletohet edhe kompromisi i BE-së, i ofruar tashmë nga të 27 vendet. Kjo do të ishte rruga më e mirë për të ndihmuar në një mbarëvajtje të zhvillimeve të mëtejshme në Kosovë, por edhe për mbarëvajtjen e integrimit evropian të Serbisë. Do të ishte rruga që të gjithë ne të shikojmë drejt të ardhmes.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, gjatë këtyre ditëve në Nju Jork ju keni patur takime me përfaqësues të shteteve të Organizatës së Konferencës Islamike dhe të Pellgut të Karaibeve. A ka ndonjë ndryshim të qëndrimit të tyre ndaj Kosovës?

Ilir Meta: Gjatë këtyre 40 ditëve nga momenti që u zyrtarizua iniciativa e Serbisë, diplomacia shqiptare në të gjitha nivelet ka qenë në kontakte pothuajse me të gjitha vendet, me ato që e kanë njohur dhe sidomos me ato që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në veçanti në bashkëpunim shumë të ngushtë me diplomacinë amerikane, britanike, franceze, gjermane etj. Në këtë drejtim mund të them se edhe gjatë ditëve të fundit janë intensifikuar përpjekjet tona. Dua të vlerësoj punën titanike të Misionit të Shqipërisë në Nju Jork dhe koordinimin e shkëlqyer me të gjithë partnerët këtu, ndërsa këto ditë ne kemi zhvilluar disa forume për këtë çështje, një me përfaqësuesit e Konferencës Islamike, ku kemi gjetur një mbështetje të plotë për argumentet e Shqipërisë përse duhet rrëzuar rezoluta e Serbisë në rast se ajo nuk arrin kompromisin me BE-në, me vendet e Karaibeve dhe në takime të veçanta dhe me Ambasadorët e Francës, Britanisë së Madhe dhe të Turqisë por edhe me Ambasadoren amerikane, Rosemary DiCarlo, Zv. Shefe e Misionit Amerikan këtu në Nju Jork. Ndërkohë që ne kemi marrë garanci edhe më parë nga këto vende që nuk e kanë njohur Kosovën që jo vetëm që do ta njohin në të ardhmen por kanë premtuar që do të votonin kundër rezolutës serbe në rast se ajo do të paraqitej, pasi nuk mund të hidhet në diskutim autoriteti i GJND-së.

Zëri i Amerikës:: Zoti Meta, duke u kthyer tek zhvillimet më të fundit në Shqipëri, mosmarrëveshjet e shumicës dhe opozitës për hetimin e zgjedhjeve të kaluara nuk duket se po sheshohen, ndërkohë që Shqipëria pret në vjeshtë përveç vendimit për liberalizimin e vizave, edhe opinionin e Komisionit Evropian për kërkesën e saj për statusin e vendit kandidat. Sipas jush a do të kenë ndikim këto mosmarrëveshje sidomos për çështjen e statusit të vendit kandidat?

Ilir Meta: Nuk jam shumë i azhornuar në mënyrë të detajuar me zhvillimet më të fundit por absolutisht besoj se rezoluta e PE-së është shumë e qartë se si duhet ecur përpara dhe shpresoj që opozita të realizojë në mënyrë të përgjegjshme, pasi kuptohet që e ardhmja evropiane e vendit është edhe një përgjegjësi e opozitës nuk është vetëm e mazhorancës.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, mosmarrëveshjet e partive politike duket se mund të pengojnë kryerjen e reformave elektorale, zgjedhjet lokale do të mbahen pas tetë muajsh. Sipas jush vonesat në bërjen e kësaj reforme do të kishin pasoja në cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme?

Ilir Meta: Është gjëja më absurde që një opozitë ose lidershipi i saj më mirë, që kërkon me të drejtë në parim transparencë për zgjedhjet e kaluara të pengojë, të vonojë ose të kushtëzojë bërjen e reformës zgjedhore kur dihet se përmirësimi i ligjit zgjedhor është rruga më e sigurt për të garantuar standardet më të larta për zgjedhjet në Shqipëri në të ardhmen. Kjo është krejtësisht absurde dhe e papranueshme.

Njëkohësisht duhet të theksojmë se pavarësisht nga ndonjë qëllim i cili nuk do të doja ta vlerësoja për të dëmtuar apo për të bllokuar mungesën e një reforme të drejtpërdrejtë dhe gjithëpërfshirëse elektorale në Shqipëri, duhet të kenë parasysh se Shqipëria e ka një kod, i cili ka qenë më konsensual se çdo kod tjetër, kodin Berisha-Rama, të cilin ne natyrisht nuk e kemi mbështetur dhe për të cilin kemi patur rezervat tona që u konfirmuan edhe nga problemet që u vunë re ne zgjedhjet e kaluara, që janë reflektuar në rekomandimet e OSBE-ODHIR-it për të ndryshuar kodin zgjedhor. Pra përsëri, Shqipëria e ka një kod në përgjithësi konsensual.

Zëri i Amerikës: Pikërisht ju i kundërshtuat ndryshimet kushtetuese që u zhvilluan para zgjedhjeve të qershorit të 2009-s. A do të kërkoni në kuadër të reformës zgjedhore rishikimin e tyre?

Ilir Meta: Natyrisht ne kemi bërë publike një platformë shumë të qartë për reformën zgjedhore, kemi bashkëpunuar shumë ngushtë edhe me aktorë të shoqërisë civile të fokusuar në çështjet e demokracisë dhe të zgjedhjeve dhe shpresojmë që sidomos opozita por edhe të gjithë forcat e tjera politike të tregojnë vullnet duke ngritur standardet e zgjedhjeve në Shqipëri përmes ligjit dhe përmirësimit të tij dhe jo përmes demagogjisë dhe akuzave bajate të këtyre 20 vjetëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, Tirana përfaqëson dhe betejën më të fortë në zgjedhjet për pushtetin vendor. Ju keni nisur një proces përzgjedhjesh kandidatësh, ndërkohë që keni premtuar që këtë herë do të garoni në aleancë me PD-në. Kur është fjala për Bashkinë e Tiranës, si do të konkretizohet kjo aleancë?

Ilir Meta: Jemi shumë herët për të dhënë opinione lidhur me zgjedhjet e ardhshme vendore. Duhen ende 8 muaj dhe do të kemi kohë për t’i dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve kuptohet në mënyrë kolegjiale në forumet e LSI-së.

XS
SM
MD
LG