Lidhje

Meta fton palët në takim mbi reformën, reagojnë ambasadat


Polemikat mes forcave kryesore politike në Tiranë mbi reformën në sistemin e drejtësisë morën një kthesë të re sot kur kryetari i LSI-së, Ilir Meta, propozoi një takim mes tij, kryetarit të PS-së Rama, kryetarit të PD-së Basha, ambasadorit amerikan Lu dhe ambasadores europiane Vlahutin për të gjetur kompromisin në afatin e fundit për miratimin e saj.

Kryetari i Parlamentit Meta për reformën në drejtësi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:36 0:00

​Duke sjellë një thyerje të papritur në radhët e maxhorancës, zoti Meta tha se ishte gati të jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit të parlamentit, nëse kjo i shërben konsensusit, pasi ky të miratonte reformën e drejtësisë dhe të shpërndahej për t'i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme, të përgatitura nga një qeveri teknike.

“Rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh, e cila pas miratimit të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara nga askush.” - tha ai.

Ai shtoi se mungesa e konsensusit për këtë reformë po sjell rreziqe të mëdha për Shqipërinë, e cila vuan nga një sistem gjyqësor i korruptuar.

“Unë shoh një rrezik serioz për vendin nëse reforma nuk miratohet me konsensus, sipas Venecias dhe pa dyshim edhe sipas standardeve europiane dhe euroatlantike. Në rast mosmiratimi të reformës, vendi do të bëjë një hap të madh prapa, duke i hapur rrugë paqartësive lidhur me institucionet dhe stabilitetin e vendit - tha zoti Meta.

Ai theksoi se mbështetste fuqimisht deklaratën e fundit të ndihmës sekretares amerikane Nuland për të arritur konsensusin, dhe se mbështeste propozimin hibrid të saj.

Zoti Meta tha se reforma në drejtësi bëhet për të paktën për 30 vitet e ardhshme, bëhet për gjyqësorin e ardhshëm dhe jo për të shpëtuar parlamentin aktual.

“Maxhoranca aktuale nuk i ka votat, por edhe në rastin e miratimit të saj pa konsensusin e opozitës, nëse mosmiratimi i saj është hap mbrapa për vendin, miratimi në mënyrë të diskutueshme apo ilegjimite mund të hapë një situatë të re për vendin, e cila mund të hapë një kapitull të gjatë të mungesës së stabilitetit në vend dhe funksionimit të institucioneve që përfshihen”, - tha zoti Meta.

Ai tha se për hir të kompromisit është gati të japë dorëheqjen në çast nga kryetar i parlamentit, ministrat e LSI-së po ashtu.

“Votat e LSI-së janë për reformën, mjafton që PD-ja dhe PS-ja të arrijnë konsensusin. I vetmi institucion që bën të mundur këtë është Komisioni i Venecias. Kjo nuk është çështje 88 apo 99 por e një mosbesimi të jashtëzakonshëm që ekziston sot jo vetëm në politikë, por edhe në opinionin publik” - tha zoti Meta.

Pak orë më vonë, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin pranuan ftesat e tij. Ambasadori Lu dhe ambasadorja Vlahutin kërkuan që bisedimet e të hënës të bazohen mbi propozimin e sjellë nga ndihmës sekretarja e shtetit Viktoria Nuland.

Ambasadori Lu theksoi në deklaratën e tij se "më 10 korrik qeveria dhe opozita u angazhuan para ambasadores Nuland se negociatat e ardhme do të bazohen vetëm mbi propozimin hibrid, i cili zbaton plotësisht pikën 88 të Komisionit të Venecias dhe ka mbështetjen e misioneve Euralius dhe OPDAT".

Zonja Vlahutin tha se , e informoi zotin Meta, se BE e pranon ftesën e tij për t'iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, në rast se të gjitha partitë bien dakord, me mirëkuptimin se këto diskutime do të bazohen tek propozimi hibrid.

"Ambasadorja është e gatshme të ofrojë pikëpamjet e BE-së rreth propozimit dhe përputhshmërisë së plotë të rolit të parashikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me Opinionin e Komisionit të Venecias, si edhe me qëndrimin afatgjatë të BE-së dhe SHBA-ve se i gjithë pushteti vendimmarres duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare" - thuhet në deklaratën e BE-së.

Bashkimi Evropian ka mbështetur dhe lehtësuar si punën e ekspertëve, ashtu edhe negociatat politike për reformën në drejtësi që prej fillimit. Kjo reformë kërkohet nga qytetarët shqiptarë dhe përbën një parakusht thelbësor për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë për integrimin në BE.

"Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të japim asistencën tonë me anën e po ketij roli edhe në të ardhmen. Megjithatë, është e qartë që përgjegjësia për këtë reformë është e autoriteteve shqiptare" - deklaroi zyra e Delegacionit Europian..

XS
SM
MD
LG