Lidhje

Meta: Koha për konsensus po kufizohet


Kryetari i Lidhjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se pas tërheqjes së Xhezair Zaganjorit nga procesi për zgjedhjen e Presidentit, hapat e mëtejshëm do të ndërmerren në përputhje me kushtetutën e Shqipërisë. Zoti Meta tha se përpjekjet e partisë së tij ishin të orientuara drejt një procesi konstruktiv për një konsensus në zgjedhjen e presidentit. Ai tha se tërheqja e zotit Zaganjori nuk ishte krejtësisht e papritur, pasi siç tha ai në bisedat me të që në fillim, zoti Zaganjori kishte shprehur prirjen për të qenë një president konsensual. Kryetari i LSI-së thotë se përpjekjet e mëtejshme për konsensur kufizohen nga koha dhe kritikoi opozitën se i ka kufizuar mundësitë e saj për shkak të pjesëmarrjes jo aktive në proces.



Zëri i Amerikës: Z. Meta, ju keni luajtur një rol aktiv për zgjedhjen e Presidentit. Si mendoni se do të vazhdohet më tej pas kushteve të reja të krijuara sot?

Ilir Meta: Më tej, do të vazhdohet sipas Kushtetutës, e cila është tepër e qartë pas konsumimit të tre raundeve që impononin një konsensus. Përpjekja jonë, në radhë të parë, si Lidhje Socialiste për Integrim, ka qenë e orientuar për një proces konstruktiv i cili sjell konsensus për zgjedhjen e presidentit. Më pas ky qëndrim u pranua dhe nga lidershipi i Partisë Demokratike dhe nga të gjithë kryetarët e partive parlamentare të mazhorancës. Aktualisht jemi në një situatë të re, kur zoti Zaganjori, me iniciativën e tij, plotësisht sovrane, ka bërë një akt i cili tregon qartë se ky kandidat, i preferuar nga ana e mazhorancës dhe i ofruar për konsensus me opozitën, nuk e kërkonte këtë funksion, por iu kërkua për të mundësuar një konsensus të gjerë, duke pasur në konsideratë faktin që ky figurë ishte votuar në të kaluarën nga të dy kahet e Parlamentit shqiptar për postin aktual që mbante.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta a ishte e papritur tërheqja e zotit Zaganjori për ju?

Ilir Meta: Nuk mund të them se ishte krejtësisht e papritur pasi në bisedën e parë që unë kam zhvilluar me të ai ka qenë i prirur dhe i orientuar për të qenë një president me konsensus, pavarësisht se ka qenë një dëshirë e imja, por pse jo dhe e Kryeministrit Berisha dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë politikë të partive të koalicionit qeverisës, që të kishim një profil si ai i zotit Zaganjori në postin e Presidentit të Republikës, duke pasur në konsideratë krijimin e një klimë konstruktive dhe larg konflikteve politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, ju theksuat sot pas tërheqjes së zotit Zaganjori, po citoj se, “opozita humbi një rast të mrekullueshëm për të dhënë konsensusin”. A do të thotë kjo se përpjekjet e tjera për konsensus do të jenë tashmë të kufizuara?

Ilir Meta: Këto përpjekje në radhë të parë kufizohen nga koha e kufizuar dhe së dyti opozita, që më vjen keq ta theksoj, i ka kufizuar këto mundësi për shkak të pjesëmarrjes së saj jo aktive në bisedimet për çështjen e presidentit të ri. Për arsye sepse mazhoranca nuk ofroi një kandidat konsensual, por një kandidat konsensual të propozuar nga mazhoranca për të marrë konsensusin e opozitës, sepse po të ishte fjala për një kandidat konsensual të mazhorancës mund të ishte çdo figurë politike e saj.



Zëri i Amerikës: Në fillim të kësaj interviste ju u shprehët se tashmë do të veprohet sipas kushtetutën. Deri tani është vepruar sipas kushtetutës, por termi “sipas kushtetutës” në Shqipëri nënkupton që opozita mund të verë edhe një kandidaturë politike. A nënkupton kjo që po shkohet drejt këtij qëndirmi, pra drjet daljes së një kandidature politike për dy raundet e tjera dhe të fitohet me shumicën e thjeshtë ?

Ilir Meta: Nuk mund të flas ende për këtë çështje, sepse kjo është një situatë e re, por aspak dramatike. Natyrisht që ajo po trajtohet dhe menaxhohet me një qetësi maksimale. Të gjithë jemi në një moment reflektimi. Kemi ende kohë për të marrë vendimet më të pjekura. Fakti që unë theksova që do të veprohet sipas Kushtetutës tregon në radhë të parë koha është e kufizuar dhe këtë e kufizon vetë Kushtetuta. Kemi pasur mjaft kohë gjatë dy javëve të shkuara, të tre raundeve që kërkonin një konsensus edhe për shkak të procedurave kushtetuese për të arritur këtë konsensus. Tani përsëri mendoj që përpjekjet nuk duhet të reshtin. Por, në fund të fundit koha është e kufizuar, prandaj theksova që do të veprohet brenda të gjitha afateve që parashikon Kushtetuta.

Zëri i Amerikës: Do të përpiqem me një pyetje ndoshta më të lehtë, me qëndrimin e LSI-së, për të marrë një pëgjigje prej jush. Në të kaluarën ju keni thënë se LSI-ja nuk do të votojë një figurë politike nga radhdët e PD-së. A do të vazhdoni t’i përmbaheni këtij qëndrimi si parti?

Ilir Meta: Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka thënë se nuk do të votojë për një figurë për nga PD-ja, apo për një figurë nga PS-ja, apo nga çdo lloj force politike. Por ka thënë se duhet të tentojmë drejt një presidenti konsensual, që të shikojmë interesat e vendit dhe jo interesat e ngushta partiake. Pra, në rast se do të kishte një konsensus nga Partia Socialiste për një figurë politike, të Partisë Demokratike apo kushdoqoftë, padyshim LSI-ja ka qenë dhe do të ishte e hapur apo anasjelltas. Kështu që në këto kushte kur ne i kemi konsumuar në mënyrë të jashtëzakonshme të gjitha përpjekjet tona të sinqerta dhe pozitive për arritjen e konsensusit dhe kur nuk e realizuam dot brenda afateve kushtetuese, që e kërkonin në mënyrë të veçantë konsensusin. Natyrisht përpjekjet tona nuk do të reshtin edhe gjatë ditëve që vijnë.

Zëri i Amerikës: Por edhe qëndrimi juaj mund të ndryshojë. Tashmë ju mund ta rishikoni qëndrimin tuaj për të mos mbështetur një kandidat politik, me kushtet e reja mund të mbështesni dhe një kandidat politik, në qoftë se ju kuptova drejt, apo jo?

Ilir Meta: Këto nuk mund të jenë kurrsesi vendime personale të mijat, do të jenë vendime kolegjiale, të bashkërenduara me kolegët e tjerë në LSI, por edhe të koalicionit qeverisës.

Zëri i Amerikës: A pritet ndonjë takim i mundshëm gjatë fundjavës mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, ose a ka ndonjë përpjekje për të realizuar një takim të tillë?

Ilir Meta: Besoj se gjatë këtyre dy ditëve do të ketë takime të ndryshme dhe të gjithë besoj do të bëjnë përpjekjet e tyre për të arritur një zgjedhje sa më konsensuale, pse jo për të filluar dhe një garë demokratike parlamentare në një Parlament sovran.

Zëri i Amerikës: Ju vetë personalisht, a jeni optimist se mund të kemi një president konsensual deri në fund të javës së ardhshme?

Ilir Meta: Deri përpara dy orësh nuk e kisha humbur optimizmin që zoti Zaganjori mund të pranohej nga opozita dhe mund të votohej në raundin e katërt, sepse nuk ka pasur asnjë arsye thelbësore për këtë çështje dhe mendoj se edhe ata nuk ndihen shumë komodë mbas kësaj tërheqjeje, sepse kjo në fund të fundit tregoi që zoti Zaganjori në thelb kishte një personalitet, i cili nuk synonte postin, por një mundësi për t’i shërbyer gjithë vendit dhe për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike. Dhe këtë e tregoi duke vizituar dhe selinë e PS dhe kryetarin e saj. Megjithatë e theksoj dhe njëherë se përpjekjet nuk do të rreshtin për një zgjidhje sa më konsensuale, por në çdo rast, ajo do të jetë kushtetuese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG