Lidhje

LSI: Po ftesës së PS për bashkim


Meta: marrëdhënia me Berishën përfundoi. I domosdoshëm një ekuilibër i ri politik dhe një ekuilibër i ri pushtetesh

Në Shqipëri LSI iu përgjigj sonte pozitivisht ftesës së partisë socialiste për t’u bashkuar në një koalicion parazgjedhor për garën e 23 qershorit. Vendimi i pritshëm u bë i njohur nga kryetari I LSI Ilir Meta në përfundim të mbledhjes së kryesisë së partisë së tij. Që nga ky moment LSI kalon në opozitë dhe të gjithë ministrat, zëvendësministrat dhe zyrtarët e tjerë të lartë të saj në ekzekutiv dhe admnistratën qëndrore tërhiqen nga funksionet e tyre. “Në emër të kryesisë së LSi dua të vlerësoj bashkëpunimin me PD dhe kryetarin e saj Sali Berisha, për bashkëpunimin gjatë katër viteve në koalicionin qeverisës i cili garantoi jo vetëm stabilitet por edhe disa reforma të rëndësishme në funksion të zhvillimit dhe integrimit të vendit” u shpreh zoti Meta duke shtuar se tashmë marrëdhënie mes tyre “konsiderohet e përfunduar”.

Sipas kryetarit të LSI-së, bashkimi me partinë socialiste erdhi pasi sipas tij “është i domosdoshëm një ekuilibër i ri politik dhe një ekuilibër i ri pushtetesh që do të forconin stabilitetin e qëndrueshëm dhe afatgjatë në jetën ekonomike e politike të vendit e do të përmbushnin më mirë nevojën për një ritëm të ri intensiv të reformave dhe procesit të integrimit”. E pikërisht duke i mëshuar procesit të integrimit europian të vendit, zoti Meta tha se ai do të përpiqet për të bërë të mundur miratimin e tre ligjeve dhe reformave të kërkuara nga Brukseli si një kusht që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. “Miratimi i tre ligjeve që do të ndihmonte marrjen e statusit brenda këtij viti është prioriteti më kryesor edhe për ditët e javët në vazhdim. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që kjo të realizohet brenda mandatit të këtij parlamenti sepse përndryshe statusi do shtyhej në kalendat greke”, nënvizoi zoti Meta. Ai theksoi se nuk bëhej fjalë për një kusht ndaj partisë socialiste “por kërkesë e domosdoshme dhe imperative që ka të bëjë me të ardhmen e vendit që nuk duhet të vonohet”.

Kryetari i LSI-së nuk dha detaje mbi marrëveshjen me socialistët, por deklaroi se “do të punohet që të arrihet në një marrëveshje parimore jo vetëm në funksion të zgjedhjeve, por dhe të forcimit të stabilitetit të vendit”. Me socialistët, LSI-ja, ndan një të kaluar marëdhëniesh të hidhura, të ngarkuar me akuza dhe replika të forta. Zoti Meta, anashkaloi të fliste për cka kishte ndodhur në të kaluarën mes dy forcave politike por edhe mes tij dhe zotit Rama. “Morali më i rëndësishëm në politikë është ai i të ardhmes Ne presim të hedhim hapa përpara drejt integrimit. Me të kaluarën ju takon të merren analistëve apo historianëve. Unë jam politikan, punoj për zgjidhje politike e jemi të angazhuar që të punojmë së bashku ne emër të së ardhmes”, tha zoti Meta.

Ai nuk dha gjithashtu një përgjigje të qartë lidhur me atë se cfarë do të ndodhë me pushtetin vendor, ku ai është i përfaqësuar në emër të koalicionit me partinë demokratike. “Ne nuk synojmë të politizojmë qeverisjen vendore. Kjo do të jetë një kompetencë e të zgjedhurve vendore. Nuk synojmë politizimin e institucioneve, as ashpërsimin e luftës politike dhe as bllokimin e vendimeve në të mirë të qytetarëve”, ishte shpjegimi i zotit Meta.

Largimi i LSI-së nga qeveria sjelle detyrimisht një rikonfigurim të ri në kabinetin e zotit Berisha. LSI ka gjithashtu katër deputetë në parlament. Por sipas zotit Berisha shumica e drejtuar prej tij I ka numrat e nevojshëm de se nuk ka asnjë rrezik për një krizë qeveritare. Ai ka tashmë bashkë me aleatët e tjerë 69 vota. Dy votat e tjera të nevojshme do të duhet mesa duket t’I kërkojë te dy deputetët socialist që janë jashtë grupit, Kastriot Islami dhe Asllan Dogjani, apo ndoshta dhe të deputeti tjetër Dritan Prifti, ndërsa mbrëmë i shtriu dorën e bashkëpunimit edhe kryetarit të PBDNJ Vangel Dule. Kryeministri, ashtu sic premtoi, pritet të veprojë me shpejtësi në zëvendësimet në kabinetin e tij
XS
SM
MD
LG