Lidhje

Meksikë, reforma energjitike


Presidenti i Meksikës Enrique Pena Nieto, nënshkroi ligjin që e hap sektorin energjitik të vendit për investime private, për herë të parë që pas shtetëzimit të këtij sektori në vitin 1938. Investitorë të huaj po ndjekin me vëmendje zhvillimet në Meksikë, por duket se janë në pritje të informacioneve të mëtejshme se çfarë ofron konkretisht Meksika. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus njofton nga Hustoni.

Gjatë viteve të fundit, prodhimi i naftës në Meksikë ka rënë me gati një milion fuçi në ditë. Fushat e naftës po prodhojnë më pak dhe kompania shtetërore Pemex, nuk ka teknologjinë e duhur për të kryer kërkime e shpime në zona të reja.

Presidenti Pena Nieto thotë se reforma, e cila mundëson për herë të parë investime të kufizuara private, do të çojë në një rigjallërim të sektorit energjitik, nga i cili do të përfitojë gjithë vendi:

“Shumica e meksikanëve do të shohin përfitime nga kjo reformë transformuese”.

Por George Baker, ekspert që ndjek nga afër zhvillimet në sektorin energjitik të Meksikës, thotë se investitorët pritet të tregohen të kujdesshëm për këtë hapje të re në Meksikë:

“Në Meksikë dominon firma shtetërore Pemex dhe pritet të ketë rezistencë ndaj ndryshimit. Pritshmëritë e qeverisë duken të larta. Industria private pritet të jetë më pasive”.

Përgjatë kufirit të Meksikës me Teksasin, ka qindra puse që nxjerrin naftë dhe gaz nga nëntoka e thellë, por nga ana meksikane e kufirit ka shumë pak aktivitet.

Analisti Baker thotë se një situatë e ngjashme është edhe në Gjirin e Meksikës, ku operojnë platforma për shpime në det nga Amerika dhe vende të tjera:

“Nga gjithë këto platforma, asnjë nuk operon në anën meksikane të kufirit. Ujrat që i përkasin Meksikës në Gjirin e Meksikës, janë ndoshta zona ujore më pak e eksploruar në planet me përjashtim të Polit të Veriut”.

Qeveria meksikane parashikon 10 deri 15 miliardë dollarë investime në vit, por analistët thonë se do të ketë probleme të shumta teknologjike, mjedisore dhe të sigurisë për t’u kapërcyer.

Leticia Armenta, ekonomiste me firmës Tecnologico de Monterrey në Mexico City, është një prej skeptikëve:

“Të dhënat e qeverisë janë tepër optimiste, me investime gjigande dhe prodhim shumë të suksesshëm, por nuk ka garanci që këto do të materializohen”.

Ajo thotë se krimet e dhunshme janë një prej problemeve, sidomos në zonat ku grupet kriminale vjedhin naftë dhe gaz nga tubacionet e firmës Pemex:

“Ky problem duhet ndjekur, ndaluar dhe zgjidhur. Kjo nuk është një çështje e vogël”.

George Baker thotë se një nga mënyrat për të tërhequr investime të huaja, është duke patur një projekt të hartuar nga kompani të njohura nafte:

“Kjo do t’i dërgonte mesazhin komuniteti ndërkombëtar se Pemex ka kaluar një provim të rëndësishëm investimi dhe provimi është administruar nga firma si Exxon ose Shell ose ndonjë tjetër kompani me standarte të larta”.

Meksika po ecën me shpejtësi dhe pritet që tenderat e parë për kërkim nafte t’i hapë në fillim të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG