Lidhje

Hetimi për avionin MH17

  • Henry Ridgewell

Një hetim dyvjeçar i disa vendeve, lidhur me rrëzimin e avionit të shoqërisë malajziane MH17 që po udhëtonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur në korrik të vitit 2014, arriti në përfundimin se ai u qëllua nga një raketë tokë-ajër që ishte dërguar nga Rusia në territorin e kontrolluar nga rebelët në Ukrainë. Moska i ka hedhur poshtë përfundimet dhe mohon të jetë e përfshirë në incident.

Përfundimet e Ekipit të Përbashkët Hetues ishin të qarta: avioni MH17 u qëllua nga një raketë tokë-ajër SA11 BUK e transportuar nga Rusia për në territorin ukrainas, që atëherë kontrollohej nga rebelët që mbështeteshin nga Moska. Por pyetje të rëndësishme mbeten pa përgjigje.:

“A ishte gabim? A ishte sulm i qëllimshëm? Kush ishte përgjegjësi? Kush e dha urdhërin? Këto janë pyetje të rëndësishme dhe këto duhet të sqarojmë."

Familjet e viktimave kanë pritur për më shumë se dy vjet për një përgjigje. Vajza 17 vjeçare e Hans De Borst-it, ishte mes 298 viktimave:

"Deri tani kishte shumë spekulime, por unë e shoh këtë si një çlirim të madh shpirtëror për mua."

Rusia ka mohuar vazhdimisht të ketë patur ndonjë rol dhe pretendon se avioni u rrëzua ose nga ndonjë avion luftarak ukrainas ose u qëllua nga territori ukrainas.

Por provat kundër kësaj janë të shumta, thotë analisti ushtarak Justin Bronk:

“Ideja se ky ishte momenti që zgjodhi Ukraina të qëllonte me një raketë tokë-ajër është e pabesueshme. Ndërkohë që rebelët kanë përdorur më parë këtë lloj rakete për të rrëzuar një avion luftarak ukrainas në lartësi të madhe.”

Hetuesit përdorën një seri teknikash për të identifikuar raketën dhe trajektoren e saj të mundshme.

“Fakti që është një raketë shumë e madhe dhe kur lëshohet ajo lë gjurmë të qarta në terren, që janë të dukshme nga imazhet satelitore, përshembull.”

Vendi i saktë i lëshimit është përcaktuar afërsisht në një fushë pranë fshatit Pervomaiskyi.

Përmes përgjimit të bisedave telefonike dhe imazheve të postuara online, hetuesit ishin në gjendje të zbulonin rrugën që përshkroi raketa-lëshuesi mëngjesin e 17 korrikut nga Rusia në Ukrainë dhe rrugën e kthimit po atë ditë, me dy raketa mangut.

Hetimi ka identifikuar mbi 100 persona që janë të lidhur me rrëzimin..

“Rusia asnjëherë nuk ka për të miratuar ekstradimin e këtyre individëve duke e bërë të pamundur ndjekjen e tyre ligjore.”

Por familjet e viktimave kërkojnë që prokurorët të identifikojnë kush e dha urdhërin.

“Në se një raketë dërgohet nga Rusia për në Ukrainë vetëm për një ditë, atëherë duhet të ketë qënë një vendim, dhe vendimi nuk mund të merret nga një ushtar."- thotë avokati i viktimave.

Me gishtin e fajësisë drejtuar nga Moska, analistët thonë se marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Perëndimit dhe Rusisë ka të ngjarë të përkeqësohen edhe më tej.

XS
SM
MD
LG