Lidhje

Zonja e Parë Michelle Obama viziton Kinën


Zonja e Parë Michelle Obama fillon sot një vizitë gjashtë ditore në Kinë. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se zonja e parë do të përqëndrohet tek tema e arsimit dhe nuk do të prekë çështje të debatueshme.

Ben Rhodes, zëvendës këshilltari i Sigurisë Kombëtare për Komunikim Strategjik u tha gazetarëve se vizita e zonjës Obama në Kinë do të përqendrohet në marrëdhëniet mes popujve dhe tek arsimi dhe jo në cështje të debatueshme si të drejtat e njeriut, tregëtia dhe falsifikimet.

“Nuk mendojmë se këto tema duhet të jenë të qendër të vizitës. Qëllimi është i ndryshëm, ka të bëjë me lidhjet njerëzore, me komunikimin me të rinjtë e Kinës, me zgjerimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”.

Zonja Obama pritet të mbajë dy fjalime për arsimin dhe të vizitojë një shkollë së bashku me Zonjën e Parë kineze, Peng Liyuan.

Tina Tchen, shefja e personelit e zonjës Obama tha se Zonja e Parë do të sjellë si shembull përvojën e saj jetësore për të pasqyruar fuqinë e arsimit.

"Ne mendojmë se do të ketë jehonë tek të rinjtë në gjithë botën, si përvoja e dikujt nga një familje modeste, me prindër që nuk kanë arsimim universitar por që e vunë theksin tek arsimi për Zonjën e Parë dhe vëllain e saj, që i inkurajuan që për përmes arsimit të arrinin sukses dhe të ecnin përpara”.

Zonja Tchen tha se Zonja e Parë do të vendosë informacion për udhëtimin e saj përmes blogeve në faqen e internetit të Shtëpise së Bardhë www.whitehouse.gov.

Analistët thonë se udhëtimi ka si objektiv zbutjen e marrëdhënieve SHBA-Kinë.

Bonnie Glaser e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se udhëtimi do të ndihmojë në marrëdhëniet dypalëshe.

”Kjo vizitë mund të konsolidojë mbështetjen e publikut, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë rëndësinë e marrëdhënieve amerikano-kineze, se për udhëheqësit më të lartë dhe bashkëshortet e tyre kjo marrëdhënie është e rëndësishme dhe mendoj se do ta frenojë prirjen negative që kemi parë në media për qëndrimet amerikane dhe kineze”.

Ky do të jetë udhëtimi i tretë zyrtar i Michelle Obamës, pa Presidentin Obama.
XS
SM
MD
LG