Lidhje

Michelle Obama: Jemi zemërthyer për rrëmbimin e vajzava nigeriane


Michelle Obama thotë se rrëmbimi i vajzave nga një shkollë në Nigeri është një veprim i marrë në mungesë të arsyes, i kryer nga burra të rritur, që përpiqen të shtypin aspiratat e vajzave të reja.

Bashkëshortja e presidentit Barak Obama mbajti sot fjalimin e së shtunës që zakonisht e mban presidenti amerikan, në prag të Ditës së Nënës, që është nesër në Shtetet e Bashkuara.

Zonja Obama tha se se ajo dhe i shoqi ndjehen të fyer dhe me zemër të thyer për rrëmbimin e vajzave.

Zonja e Parë tha se “tek ato vajza, Barak dhe unë shohim vajzat tona”, duke ju referuar Malias 15-vjeçare dhe Sashës 12 vjeçare. Ajo tha “ne i kuptojmë shpresat dhe ëndërrat e tyre dhe e imagjinojmë ankthin dhe dhimbjen që ndjejnë tani prindërit e tyre”.

Paftësia e qeverisë nigeriane për t’i shpëtuar vajzat afërsisht një muaj pasi ato u rrëmbyen nga grupi Boko Haram ka shkaktuar zemërim në mbarë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë dërguar ekipe me ekspertë teknikë për ta ndihmuar qeverinë nigeriane në përpjekjet e shpëtimit. Udhëheqësi i grupit Boko Haram ka thënë se synon t’i shesë vajzat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG