Lidhje

Presidenti Obama në epërsi ndaj zotit Romney në Miçigan

  • Kane Farabaugh

Kandidati republikan për president Mitt Romney po përballet me një betejë të vështirë për të fituar në shtetin e tij të lindjes, Miçigan, në zgjedhjet e presidenciale të nëntorit. Presidenti Barak Obama gëzon epërsi në anketat e opinionit, falë mbështetjes që ai ka nga punonjësit e industrisë së makinave në Miçigan dhe deklaratave publike të zotit Romney.

Në nëntor, studenti nga Miçigani Zachary Harner do të votojë për herë të parë në zgjedhjet presidenciale. Ai thotë se vota e tij do t’i shkojë Mitt Romney-n, i lindur në këtë shtet.

“Ai ka lindur në Detroit. Babai i tij ishte guvernator i Miçiganit”.

Zoti Harner është nga Miçigani perëndimor, ku është rritur në një fermë dhe ka mësuar vlerat e punës, që sipasi tij vlerësohen nga Mitt Romney.

“Unë zgjohem në 3 të mëngjesit dhe kthehem në shtëpi në 10 të mbrëmjes. E di se çfarë do të thotë të punosh shumë dhe jam dakord me zotin Romney në këtë aspekt”.

Kjo mbështetje është e vështirë të gjendet në mesin e punëtorëve në Detroit, qyteti më i madh i Miçigani dhe qendra e industrisë amerikane të makinave.

Në vitin 2008, kur industria e makinave kërkoi ndihmën e qeverisë për të shmangur kolapsin financiar, zoti Romney shkroi një artikull në gazetën New York Times me titull, “Lejoni falimentimin e Detroitit”.

Kjo nuk u prit mirë nga punonjësi i industrisë së makinave në Detroit George McGregor, i cili beson se shumë vende pune në industrinë e makinave në shtetin ku ka lindur zoti Romney, janë shpëtuar nga ndihma financiare e qeverisë.

“Ky është shteti ku ai ka lindur dhe ai nuk do të fitojë në Miçigan”.

McGregor tani është president i një filiali lokal të Sindikatës së Punëtorëve të Industrisë së Makinave në Detroit që u shërben pothuajse dy mijë punëtorëve dhe më shumë se pesë mijë pensionistëve. Ai thotë se deklaratat e regjistruar fshehurazi në një takim për grumbullim fondesh në maj, ku Mitt Romney iu referua 47 për qind të amerikanëve si “viktima” të varura nga ndihmat qeveritare kanë zemëruar shumë anëtarë të sindikatave.

“Ata janë pjesë e 47 për qindshit, dhe kjo i ka prekur, sepse shumica e tyre kanë punuar mbi 30 vjet, kanë paguar taksat dhe sigurimet. Është gabim që një amerikan të flasë kështu ndaj një amerikani tjetër”.

Zoti McGregor thotë se kritikat e zotit Romney ndaj ligjit për kujdesin shëndetësor të presidentit Obama dhe mungesa e mbështjetjes së zotit Romney për ndihmën financiare të qeverisë për industrinë e makinave, pothuajse ia kanë siguruar fitoren Presidentit Obama në Miçigan në zgjedhjet e nëntorit.

“Me kalimin e kohës Miçigani gjithnjë e më pak duket si një shtet i pavendosur”.

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Miçiganit Michael Heaney thotë se epërsia e presidentit Obama në anketat e fundit është shumë më e vogël se sa epërsia që ka patur kur ai siguroi fitoren në këtë shtet në zgjedhjet e 2008-ës.

“Ekonomia e Miçiganit është goditur rëndë nga recesioni, dhe megjithëse recesioni i madh ekonomik filloi para se zoti Obama të bëhej president, ai mban përgjegjësi sepse tani ai është president i vendit, dhe votuesit do ta mbajnë përgjegjës për këtë. Pra, këta faktorë ekonomikë e kanë dëmtuar epërsinë e presidentit Obama këtu”.

Zachary Harner shpreson se këta faktorë ekonomikë do ta ndihmojnë Mitt Romney-n ta zvogëlojë epërsinë e zotit Obama në Miçigan, pasi të fillojnë debatet mes dy kandidatëve në tetor.
XS
SM
MD
LG