Lidhje

E ardhmja e Lindjes së Mesme


Katër vjet pas ndryshimeve që tronditën statuskuonë në Lindjen e Mesme, viti 2015 duket se do të jetë një tjetër vit ndryshimesh të vrullshme, duke sjellë dhe sfida të reja për udhëheqësit e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Analistët thonë se luftërat në zhvillim në Lindjen e Mesme po tërheqin një numër në rritje luftëtarësh të huaj.

Rreth një vit më parë, shumë pak njerëz kishin dëgjuar për grupin terrorist Shteti Islamik.

Por, pas marrjes së befasishme të pjesëve të mëdha të Sirisë dhe Irakut, xhihadistët shihen tashmë si një kërcënim i pashmangshëm për shumë vende.

Qindra sulme ajrore të kryera duket se e kanë ulur vrullin e ISIS, dhe analistë si Paul Salem i Institutit të Lindjes së Mesme parashikojnë edhe më shumë përparim gjatë vitit 2015.

“Mendoj se lufta kundër Shtetit Islamik do të përparojë në Irak. Mendoj se Iraku do të bëjë progres gjatë vitit 2015, bazuar në kombinimin e forcave të ushtrisë kurde dhe ushtrisë kombëtare me qendër në Bagdat.”

Por, progresi duket më i vogël në Siri, ku Shtetet e Bashkuara planifikojnë të trajnojnë rebelët e moderuar.

Ish-ambasadori amerikan në Siri, Robert Ford, thotë se duhet bërë më shumë.

“Nëse nuk i ndihmojmë së shpejti miqtë tanë në terren, nuk do të mbetet alternativë tjetër në Siri përveç Bashar al Assadit në njërën anë dhe ekstremistëve xhihadistë në anën tjetër.”

ISIS tërhoqi vëmendjen e Perëndimit nëpërmjet prerjes së kokave dhe mizorive të tjera.

Profesori i Johns Hopkins, Daniel Serwer, thotë se terroristët e kanë tepruar.

“Kam besim se do të humbasin territor pasi mendoj se kanë bërë gabime serioze, në veçanti në Irak, ku kanë masakruar anëtarë të shumtë të disa fiseve sunite.”

Pentagoni thotë se ka prova që luftëtarë të ISIS kanë filluar të zhvendosen drejt Libisë, ku kaosi ka krijuar një krizë sigurie.

Gjenerali David Rodriguez drejton Komandën e SHBA për Afrikën.

“Ajo që shohim tani janë njerëz që vijnë për trajnim dhe mbështetje logjistike. Për sa i përket një rrjeti të madh komande dhe kontrolli, atë nuk e kemi parë ende.”

Në Jemen vazhdon të ketë trazira politike, dhe kanë ndodhur disa ndryshime në qeverisje gjatë muajve të fundit.

Anëtarët e lëvizjes muslimane shiite Houthi janë duke luftuar kundër al-Kaidas në Gadishullin Arabik.

“Një vështrim afatgjatë tregon se Lindja e Mesme do të jetë një vend shumë i turbullt dhe i paparashikueshëm”, thotë Paul Salem.

Analistët thonë se luftërat në zhvillim në Lindjen e Mesme po tërheqin një numër në rritje luftëtarësh të huaj, dhe për ata që po përpiqen të luftojnë Islamin radikal, sfidat po bëhen gjithnjë e më komplekse.

XS
SM
MD
LG