Lidhje

Lindja e Mesme, armëpushim 72-orësh


Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara bënë të njohur se Israeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për një armëpushim pa kushte 72-orësh. Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon thanë se armëpushimi është në plan të fillojë të premten në orën 8 të mëngjesit, sipas orës lokale dhe se ai do të shërbejë për t'i dhënë civilëve në Gazë një pushim shumë të nevojshëm nga dhuna. Zoti Ban and zoti Kerry po ashtu thonë se delegacionet izraeite dhe palestineze do të shkojnë menjëherë në Kairo për bisedime për një armëpushim më afatgjatë.

Armëpushimi do të zgjasë për 72 orë, në se nuk zgjatet më tej. Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon, Stephane Dujarric, i tha gazetarëve se bisedimet që synojnë të arrihet një armëpushim i qëndrueshëm do të fillojnë pa humbur kohë në kryeqytetin egjiptian.

"Delegacionet izraelite dhe palestineze do të shkojnë menjëherë në Kairo, për negociata me qeverinë e Egjiptit, me kërkesën e këtij të fundit, me synimin për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm. Palët do të jenë të afta të ngrenë të gjitha çështjet shqetësuese në këto negociata."

Zoti Dujarric tha se armëpushimi është shumë i rëndësishëm për t'i dhënë civilëve një ndërprerje tepër të nevojshme nga dhuna.

"Gjatë kësaj periudhe, civilët në Gazë do të marrin ndihmën urgjente humanitare, si dhe mundësinë për të kryer detyrat jetike, siç është varrosja e të vdekurve, kujdesi për të plagosurit dhe riorganizimi i rezervave ushqimore."

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, kanë zhvilluar një aktivitet diplomatik intensiv me vajtje-ardhje në Lindjen e Mesme, në përpjekje për t'i bindur Izraelin dhe Hamasin t'i ndalin luftimet.

Më tepër se 1 mijë e 300 palestinezë dhe rreth 60 izraelitë janë vrarë gjatë luftimeve 24-ditore. Mbi 220 mijë palestinezë janë zhvendosur nga luftimet dhe Kombet e Bashkuara thonë se 9 mijë shtëpi në Gazë janë dëmtuar, ose shkatërruar, ndërsa Izraeli përpiqet të ndalojë raketat e hedhura nga Hamasi dhe të shkatërrojë tunelet e tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG