Lidhje

Shqetësim për dëmtimin e midhjeve


Ministria shqiptare e Bujqësisë konfirmoi shqetësimet e fermerëve për dëmtimin masiv të midhjes në Liqenin e Butrintit. Ky produkt është një nga vlerat origjinale të kuzhinës së bregdetit shqiptar dhe madje Bashkia e Sarandës organizon çdo vit edhe një festë të posaçme për promovimin e midhjes.

Fara e midhjeve që mbarështohet në Liqen është dëmtuar në masën mbi 90% , konfirmuan specialistë të Ministrisë së Bujqësisë ,të cilët prej disa ditësh kanë ndjekur situatën. Rritja e temperaturave në Liqenin e Butrintit , që furnizohet vitet e fundit shumë pak nga ujra të freskëta të Lumit të Bistricës , shihet si shkaktari i këtij dëmi.

Autoritetet në fillim propozuan një operacion për zhvendosjen e masave të midhjes në ujra të freskëta, por që nuk është bërë i mundur të kryhet.

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti e quajti dëmtimin një fatkeqësi natyrore dhe mjaft alarmante për kultivuesit e midhjeve. Ekonomitë e vogla të dhjetëra banorëve të zonës përreth Liqenit të Butrintit janë prekur nga ky dëmtim.

Mbi 40 shoqëri të vogla merren me këtë aktivitet duke punësuar dhjetëra vetë. Sasia vjetore e midhjes se Butrintit së tërhequr nga tregu vendas shkon 12-15 mijë kuintal ndërkohë që fermerët shpresonin që të nxitej dhe eksporti pasi prodhimi i midhjes në këtë zonë shkon deri në 35 mijë kuintalë në vit.

Ministria e Bujqësisë ka premtuar kompesim nga një fond i saj i emergjencës dhe një këshillim të gjerë me fermerët e midhjes në shtator për të parë mundësitë e zhvillimit të këtij sektori. Sipërmarrjet turistike kanë shprehur shqetësimin për këto njoftime. Ky dëmtim do të ketë efekt dhe në biznesin e tyre dhe do të ndikojë në rritjen e cmimit të këtij produkti gjatë sezonit turistik që është në pikun e tij.

XS
SM
MD
LG