Lidhje

Gjermania përballë fluksit të refugjatëve


Numri i personave që kërkojnë azil në Gjermani është dyfishuar brenda një viti. Afro 30 mijë refugjatë besohet se kanë kaluar detin Mesdhe nga Afrika për në Evropë vetëm gjatë 2015, shumë prej tyre me destinacion Gjermaninë. Korrespondenti Henry Ridgewell po ndjek itinerarin e refugjatëve përmes Evropës dhe përgatiti këtë reportazh gjatë udhëtimit me tren nga Italia për në Mynih.

Treni ekspres përshkon itinerarin Veronë-Mynih. Zëri i Amerikës pa grupin e parë të immigrantëve të hipnin në tren në Brenen në kufirin malor mes Italisë dhe Austrisë. Në dukje të shqetësuar, ata u ulën në sedilje për të vazhduar udhëtimin.

Policët e parë hipën në Rosenheim, në anën gjermane të kufirit. Ata ndaluan mbi 70 imigrantë.

Në bazë të të ashtu-quajturave “Rregullore të Dublinit” immigrantët duhet të kërkojnë azil në vendin ku kanë shkelur së pari. Për këtë arsye ata shpesh nuk duan të japin dhëna mbi identitetin apo t’u merren shenjat e gishtave deri kur arrijnë në destinacionin e dëshiruar.

Itinerari nga Afrika Veriore, përmes Mesdheut e më pas nëpër Itali zakonisht përfundon këtu, në Mynih, në Gjermaninë e jugut.

Të paktë janë ata imigrantë që duan të qëndrojnë në Evropën jugore, thotë Rebecca Kilian-Mason e Këshillit të Mynihut për Refugjatët.

“Në Greqi ka probleme të mëdha. Askush nuk ridërgohet në Greqi për momentin, pasi situata është shumë e rëndë. Ka plot njerëz që i kthejmë në Itali, në bazë të Rregulloreve të Dublinit. Ky është problem, pasi shumë njerëz janë të pastrehë dhe nuk marrin ndihmë sociale”.

Por në Gjermani refugjatët marrin ndihma. 173 mijë vetë kanë kërkuar azil në 2014. Ritmet janë dyfishuar në 2015.

Një ndër ta është James nga Sierra Leone. Ai tani jeton në një banesë për refugjatët në Mynih. Ai e filloi udhëtimin drejt Evropës pasi u fut në enklavën spanjolle Melilla në Afrikën Veriore. Ai shpreson se autoritetet gjermane do të tregohen zemërgjerë ndaj aplikimit të tij për azil.

“U mërzita shumë kur dëgjova se do të më kthejnë në Spanjë. Nuk dua as ta mendoj. Po ju them vetëm kaq: fakti që jam në Gjermani ia vlente të rrezikoja jetën”.

Franziska Fassbinder ofron këshillime falas për njerëz si James, përmes Qendrës Ligjore për Refugjatët. Ajo thotë se numri i madh i azil-kërkuesve nënkupton një ngarkesë të madhe për autoritetet. Si rezultat, autoritetet arrijnë të kthejnë vetëm një përqindje të vogël në vendet ku mbërritën fillimisht.

“Sipas rregullores kthimi duhet të bëhet brenda një periudhe prej gjashtë muajsh. Kur refugjati mbërrin në Gjermani, ne zakonisht i themi të presë”.

Shumë kërkesa për azil hidhen poshtë me argumentimin se këta janë imigrantë ekonomikë dhe jo refugjatë që largohen nga lufta. Zonja Fassbinder thotë se është vështirë të bëhet dallimi.

“Unë do të ngrija pyejten: a mund ta quajmë arsye ekonomike nëse nuk kam ushqim në vendin tim?”

Vende të pasura evropiane si Gjermania kanë programe shumë të mira sociale dhe ndihmash. Por dyndja e immigrantëve, si nga vende të përfshira nga lufta, ashtu edhe nga nevoja ekonomike, ka vënë në provë vullnetin e qeverive dhe popujve në mbarë Evropën.

XS
SM
MD
LG