Lidhje

Shqipëri: Policia ndalon grupe refugjatësh


Policia Kufitare e Kakavijës bllokoi 11 shtetas të huaj të cilët kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit jeshil nga Greqia në Shqipëri. Sipas policisë së Gjirokastrës personat e ndaluar janë shtetas marokenë, që synonin Malin e Zi për të udhëtuar më pas drejt Gjermanisë. Tre refugjatë nga Irani u bllokuan edhe në Pikën e Qafëbotës, në Sarandë, po në kufi me Greqinë. Javën e shkuar policia e Gjirokastrës bllokoi 12 refugjatë të tjerë nga Maroku, të cilët kishin hyrë nga Greqia. Policia tha se refugjatët janë dërguar në një Qendër të mbyllur në periferi të Tiranës për verifikime të mëtejshme.

Pas vendimit të autoriteteve serbe dhe maqedonase për të pranuar refugjatë vetëm nga Siria, Iraku dhe Afganistani në kufirin shqiptaro - grek po shfaqen ditët e fundit grupe të refugjatëve të kombësive të tjera. Autoritetet shqiptare janë vënë në gatishmëri prej disa muajsh për pritjen e grupeve të refugjatëve nga Siria dhe vendet e tjera të konfliktit .

Në Gjirokastër dhe në Korçë,dy qytetet në kufi me zonat greke , janë në përgatitje e sipër dy qendra pritëse të grupeve të refugjatëve. Autoritete shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se gjatë dimrit rrugët aktuale të transportimit të refugjatëve mund të bllokohen nga moti i keq dhe Shqipëria mund të kthehet në një rrugëkalim të grupeve jo masive të refugjatëve drejt vendeve të Europës Perëndimore.

XS
SM
MD
LG