Lidhje

Mijëra emigrantë hyjnë në Slloveni


Mijëra azil-kërkues kanë hyrë në Slloveni që nga e shtuna, duke e detyruar vendin që të përballet me një valë në rritje emigracioni në kufirin e tij jugor.

Autoritetet sllovene thanë se të paktën 4 mijë emigrantë, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël mbërritën të martën, përveç 8 mijë të tjerëve që kishin mbërritur të hënën.

Duke folur me gazetarët në Ljubljana, ministri i brendshëm i Sllovenisë, Bostjan Sefic tha se qeveria e tij do të dislokojë ushtrinë për të mbrojtur kufirin e vet. Ai shtoi se kompetencat e ushtrisë do të ishin të kufizuara dhe se “çdo gjë do të drejtohej nga policia sllovene”.

Zoti Sefic tha gjithashtu se qeveria e tij nuk po përjashton mundësinë e ruajtjes së pikëkalimit kufitar “me barriera fizike”.

Shumë prej emigrantëve fjetën një natë më parë në qiell të hapur ose në tenda dhe çadra të ngritura nga agjencitë e ndihmave. Të tjerë të mbështjell me batanije u përpoqën të ngrohen rreth zjarrit të ndezur me sende plastike dhe rroba të vjetra.

Koordinatori e UNHCR Niklas Stoerup Agerup, i cili po ndihmon imigrantët e mbledhur në kufi, e përshkroi situatën si të vështirë, për shkak të emperaturave e ulta gjatë natës.

"Shumë prej tyre kanë pritur gjatë gjithë natës dhe fatmirësisht nuk po bie shi por është ende një natë e ftohtë dhe me erë. Ende ka shumë njerëz që po vijnë".

Ai thotë se zona është bërë si një pike grumbullimi për imigrantët pas mbylljes së kufirit mes të dy vendeve.

"Sigurisht me atë që ndodhi, Hungaria mbylli kufirin me Kroacinë dhe numri i shumtë i refugjatëve bënë që ky vend të bëhet si një pikë grumbullimi. Njerëzit janë të detyruar të mbidhen këtu pasi shumë pak prej tyre lejohen të hyjnë", thotë ai.

Një polic serb tha se kufiri u hap rreth orës 3 të mëngjesit dhe rreth 100 apo 150 vetë kanë kaluar çdo orë.

Një refugjat sirian nga Aleppo, Ward Al Raid, thotë se pret më shumë nga Kombet e Bashkuara.

"Pres nga OKB-ja të lejojë dhe ndihmojë njerëzit. Nuk ka batanije për të gjithë, fëmijët kanë frohtë, gratë kanë ftohtë” thotë Al Raid.

Duke pritur me orë të tëra në të ftohtë, imigrantët u panë të shtynin njëri tjetrin në turmë ndërsa u shtua zemërimi.

Sinan Hamud është një immigrant nga Damasku.

"E dini se ka një problem të madh këtu. Ka rreth 6 mijë njerëz dhe nuk është faji juaj por as i yni. Nuk jemi njerëz të këqinj”, thotë ai.

Bashkimi Evropian ka rënë dakort për një plan, që kundërshtohet nga Hungaria dhe disa vende anëtare ish komuniste për të ndarë 120,000 refugjatët mes tyre, një pjesë e vogël e gati 700 mijë imigrantëve që Organizata Ndërkombëtare për Imigracionin pret që të mbërrijnë në kufijtë e Evropës këtë vit nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia.

XS
SM
MD
LG