Lidhje

Hungaria mbyll edhe kufirin me Kroacinë


Një tren me rreth 1800 emigrantë u largua sot nga Kroacia drejt Sllovenisë pasi Hungaria mbylli gjatë natës kufirin me Kroacinë. Një muaj më parë, Hungaria mbylli kufirin me Serbinë duke i zhvendosur kështu emigrantët drejt Kroacisë. Me mbylljen e kufirit tashmë edhe me Kroacinë, emigrantët po zhvendosen për herë të parë drejt Sllovenisë. Ata shpresojnë të gjejnë një jetë më mirë në Europën Perëndimore.

Treni me 1800 emigrantë u largua sot nga stacioni hekurudhor Tovarnik, të Kroacisë, duke i transportuar emigrantët drejt Sllovenisë. Nga kampi i refugjatëve në Opatovac, ministri i brendshëm kroat u shpreh i shqetësuar për efektin domino, në rast të mbylljes së kufijve edhe nga Gjermania dhe Austria:

“Efekti domino do të shkaktonte telashe për të gjitha vendet. Nuk mundem të parashikoj çfarë do të ndodhë. Për momentin, ky sistem i organizuar regjistrimi dhe kontrolli mjekësor është diçka që po ofron më shumë siguri.”

Policia kroate vazhdoi transportimin e emigrantëve me autobuzë drejt trenave. Vullnetarë të Kryqit të Kuq shpërndanin ujë dhe ushqim për burrat, gratë dhe fëmijët që prisnin trenat:

“Situata në Afganistan është shumë e keqe, me shpërthime, bomba, dhe talebanë që sulmojnë shtëpitë. Prandaj u larguam,”- thotë një emigrant.

Gardhi i hekurt i Hungarisë bllokon tashmë pothuajse të gjithë kufirin e saj jugor. Një muaj më parë, Hungaria mbylli kufirin me Serbinë duke i zhvendosur kështu emigrantët drejt Kroacisë. Me mbylljen e kufirit tashmë edhe me Kroacinë, emigrantët do të zhvendosen drejt Sllovenisë. Të dyja këto vende kanë deklaruar se nuk do të kufizojnë fluksin për sa kohë që Austria dhe Gjermania mbajnë të hapur kufijtë e tyre.

XS
SM
MD
LG