Lidhje

Mijëra protestues në qendër të Kievit


Mijëra protestues anti-qeveritarë vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin kryesor të kryeqytetit Kiev, një ditë pas përleshjeve të ashpra me policinë, nga të cilat humbën jetën të paktën 26 veta në dhunën më të rëndë gjatë demonstratave politike, që filluan para 3 muajsh.

Presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç fajësoi udhëheqësit e opozitës për dhunën, e cila u shkallëzua dje vonë.

Policia dhe përfaqësues të opozitës thanë se shumë prej të vrarëve gjatë trazirave të djeshme u goditën me plumba revolesh. Dhjetra të plagosur janë në gjendje të rëndë. Nëntë nga të vdekurit ishin policë.

Drejtori i Shërbimit të Sigurimit të Ukrainës njoftoi sot se kishte filluar një "operacion anti-terrorist" për të rivendosur rendin në vend.

Në një deklaratë të publikuar në faqen elektronike të këtij shërbimi, drejtori i tij, Oleksandr Jakimenko tha se ndërtesat e bashkisë, zyrat e sigurimit të shtetit dhe depot e armëve ishin vënë përsëri nën kontroll. Ai tha se 1,500 armë zjarri dhe 100 mijë raunde municioni kishin përfunduar "në duart e kriminelëve" gjatë 24 orëve të fundit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG