Lidhje

Mijatoviç i bën thirrje qeverisë shqiptare të zgjerojë lirinë e medias


Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias: Në Shqipëri mediat vuajnë nga interesat ekonomike dhe politike, të cilat pengojnë pavarësinë editoriale

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, i bëri sot thirrje qeverisë shqiptare që të zgjerojë lirinë e medias. Ajo deklaroi se “në Shqipëri mediat vuajnë nga interesat ekonomike dhe politike, të cilat pengojnë pavarësinë editoriale”.

Zonja Mijatoviç tha në një konferencë shtypi në Tiranë se sfidat më të mëdha për mediat shqiptare janë moszbatimi i ligjit, presioni ekonomik, klientelizmi dhe partishmëria e pronarëve të mediave, si dhe kushtet e këqija të punës për gazetarët, shumica e të cilëve punojnë pa kontratë. Ajo tha se është i mirëpritur vendimi për të hequr dënimin me burg për akuzat për shpifje nga Kodi Penal i Shqipërisë.

“Shpifja pritet të hiqet fare nga Kodi Penal, - tha zonja Mijatoviç - por edhe ligji për të drejtën e informimit nuk zbatohet sa duhet. Ndërkohë vetë media - tha përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias - duhet t’i shërbejnë publikut dhe shoqërisë dhe të mos veprojë në interes të një figure publike apo biznesi të caktuar”. Sipas saj, Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë dhe i nevojitet shumë angazhim që të arrijë të ketë një shoqëri me media të lirë.
XS
SM
MD
LG