Lidhje

Mijëra grekë në grevë


Mijëra grekë në grevë
Mijëra grekë në grevë

Mijëra punonjës të sektorit publik në Greqi lanë sot punën, duke ndërprerë shërbimet publike në një protestë masive kundër shkurtimit të rrogave dhe pushimeve nga puna, që qeveria thotë se janë të nevojshme për ta shpëtuar vendin nga falimentimi. Greva 24 orëshe shkaktoi mbylljen e shkollave, gjykatave, ndali funksionimin e qeverisjes lokale dhe kombëtare dhe detyroi anullimin e mbi 400 fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës. Ndërkohë përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe FMN-së vazhdojnë një inspektim të financave të Greqisë në bazë të të cilit do të vendoset sasia e ndihmave financiare që vendi do të marrë.

Mësues, punonjës të shërbimeve lokale dhe të sistemit shëndetësër dhe elektricistë protestuan sot në Athinë ndërsa vendi është përfshirë nga një grevë 24 orëshe kundër masave shtrënguese financiare, duke sfiduar thirrjen e qeverisë për mbështetje të përpjekjeve që të shmanget falimentimi.

Qeveria deklaroi këtë muaj se do të shkurtojë për herë të dytë pagat e punonjësve publikë dhe do të pushojë nga puna 30 mijë punonjës në mënyrë që të përmbushen objektivat për pakësimin e defiçitit nën programin me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Ne po ngremë zërin kundër pushimeve nga puna, masave shtrënguese, së bashku me gjithë punonjësit e tjerë. Ne jemi të bashkuar për ta ndaluar këtë politikë ekonomike që nuk është vetëm udhë pa krye, por nuk i shërben as vendit e as përparimit të tij”.

“Punonjësit dhe pensionistët nuk mund të paguajnë për krizën në një mënyrë kaq barbare dhe të vazhdueshme, ndërsa të tjerët janë të përfshirë në evazion fiskal. Ata duhet të marrin fonde nga të tjerët. Përkundrazi, punonjësit e sektorit privat dhe publik, si edhe pensionistët gjithmonë mbajnë barrën më të madhe”.

Greva u shpall nga sindikata më e madhe e sektorit publik, Konfederata e Punonjësve Publikë (ADEDY), që përfaqëson gjysëm milioni punonjës dhe e mbështetur nga sindikata e sektorit privat, GSEE.

Spitalet funksionuan me personel të kufizuar dhe disa shkolla shtetërore u mbyllën. Stacioni hekurudhor u mbyll dhe punonjësit lanë punën nëpër ministri dhe zyrat shtetërore.

XS
SM
MD
LG