Lidhje

Mijëra ushtarë amerikanë përfundojnë në të pastrehë


Mijëra ushtarë amerikanë përfundojnë në të pastrehë
Mijëra ushtarë amerikanë përfundojnë në të pastrehë

Mijëra ushtarë amerikanë janë kthyer nga shërbimi në Irak dhe Afganistan dhe kanë përfunduar në Shtetet e Bashkuara në mesin e të pastrehëve. Organizatat që i ndihmojnë veteranët thonë se shumë prej tyre përfundojnë nëpër rrugë ose në strehimore disa muaj pas përfundimit të shërbimit ushtarak.

Ish rreshterja Q-Tara Henry ka shërbyer në ushtrinë amerikane për 11 vite pasi u regjistrua në të vullnetarisht menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme. Ajo ka kryer dy turne shërbimi në Irak si specialiste e substancave kimike, një punë e cila përfshin gjetjen dhe largimin e substancave me përmbajtje kimike, biologjike dhe radiologjike. Ajo u bë e pastrehë pas kthimit në jetën civile dy vite më parë.

“Pasi hyra në ushtri menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme, kthimi në jetën civile 11-12 vite më vonë është shokues. Nuk di ku të fillosh me jetën civile.”

Administrata e Veteranëve thotë se një në katër njerëzit e pastrehë në Shtetet e Bashkuara është veteran, megjithëse veteranët përbëjnë vetëm 11 përqind të numrit të popullsisë në Amerikë. Shume veteranë që përfundojnë shërbimin ushtarak, përfshirë Q-Tara Henry, ballafaqohen me shifrat e larta të papunësisë në Shtetet e Bashkuara.

“Jetoj në një strehimore dhe ende nuk kam gjetur punë. Punëdhënësit më thonë se ose jam me shumë përvojë ose më thonë se përvoja ime në ushtri nuk ka lidhje me punën në botën civile. Ka një numër arsyesh të ndryshme që më japin. Shërbimi në ushtri nuk ka rëndësi për punët në sektorin civil.”

Tory Lyon është drejtore e Projektit Jericho, një organizatë jo qeveritare që ndihmon veteranët e pastrehë të gjejnë punë dhe banesë. Ajo thotë se nuk është një arsye e vetme që i bënë veteranët të jenë të pastrehë, megjithëse ata vuajnë nga sëmundjet e stresit, depresioni ose traumat e ndryshme.

“Zakonisht është një numër i madh problemesh që detyrojnë disa nga veteranët të përfundojnë në grupin e njerëzeve të pastrehë, përfshirë përdorimin e drogës, problemet e shëndetit mendor, shmangia nga familja, pamundësia për të mbajtur vendin e punës.”

Dy të tretat e buxhetit të Projektit Jericho financohen nga qeveria amerikane dhe një e treta financohet nga korporatat private dhe donacionet. Falë punës së Projektit Jericho, Q-Tara Henry ndjek mësimet që do ta ndihmojnë atë të gjejë punë. Tory Lyon thotë se Departamenti i Mbrojtjes mund t’u japë më shumë informacione ushtarëve para largimit të tyre nga dertyra.

“Mendoj se duhet fokusuar me shumë në çështjen e banimit, sepse është shumë e vështirë të përparosh kur nuk ke një vend të sigurtë dhe të qëndrueshëm për të banuar.”

Q-Tara Henry jeton në një strehimore për veteranët e pastrehë në qytetin e Nju Jorkut. Projekti Jericho po e ndihmon atë që në të ardhmen të jetojë në banesën e saj. Por sipas Administratës së Veteranëve, më shumë se 100 mijë veteranë të ushtrisë amerikane do të mbeten në strehimore dhe në rrugë.

XS
SM
MD
LG