Lidhje

Mijëra imigrantë tunizianë vërshojnë drejt Italisë

  • Zëri Amerikës

Mijëra imigrantë tunizianë vërshojnë drejt Italisë

Mijëra imigrantë tunizianë vërshojnë drejt Italisë

Disa mijëra tunizianë kanë zbarkuar në ishullin e vogël italian të Lampeduzës gjatë ditëve të fundit. Italia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonëshme në ishull duke deklaruar se nuk mund ta përballojë dot numrin e madh të imigrantëve. Autoritetet, të cilat i kanë bërë thirrje për ndihmë Bashkimit Evropian, thonë se nuk janë në gjendje ta përballojnë numrin e madh të tunizianëve që arrijnë me varka.

Emigrantët po përpiqen t’u shpëtojnë trazirave sociale dhe politike pas përmbysjes muajin e fundit të qeverisë tuniziane.

Italia shpalli gjendjen e emergjencës humanitare dhe u detyrua të hapte një qendër të braktisur ndalimi në Lampeduza. Ajo ka dërguar një numër të madh tunizianësh në Siçili ndërsa një pjesë i ka nisur për në portet e tjera të vendit.

Kampi i rihapur i Lampeduzës mund të strehojë vetëm 850 veta por tani ai është mbushur tej kapacitetit.

Zëdhënësi i Komunitetit të Sant Exhidios, organizatë që është emëruar disa herë për Çmimin Nobel të Paqes në sajë të punës me të varfërit, thotë se nuk duket se vala e imigrantëve tunizianë do të ndalet.

Mario Marazzitti, Zëdhënës, Komuniteti i San ExhidiOS;

"Mendoj se numri është mjaft i madh, është diçka e ngjashme me eksodin e dikurshëm nga Shqipëria. Shumë prej tyre vijnë për shpresë, disa sepse përballen me probleme të mëdha dhe nuk e dinë se si do të shkojnë gjërat, pra ata mund të jenë duke u përndjekur në vendin e tyre. Të tjerë vijnë për arsye të tjera. Nuk besoj se kjo valë do të ndalë menjëherë".

Italia i bëri thirrje Bashkimit Evropian të ndihmojë me anije patrulluese pranë brigjeve tuniziane për të mos lejuar largimin e tunizianëve.

Lampeduza është një ishull siçilian më afër Afrikës se sa Italisë.

Mario Marazzitti, Zëdhënës, Komuniteti i San Exhidios:

"Është e drejtë se në një krizë ndërkombëtare si kjo, ne duhet të gjejmë menjëherë një tryezë evropiane dhe të vendosim se kush mund ta ndihmojë Italinë ta mbajë këtë peshë. Sigurisht duhet të shikojmë rast për rast se cilët janë këta njerëz. Kjo është mënyra më e mirë se si Evropa mund ta ndihmojë tranzicionin në Magreb”.

Shumë nga të ardhurit në kampin e Lampeduzës thonë se kanë nevojë për punë për të mbështetur familjet.

"Jam nga Tunizia, të gjithë jemi nga Tunizia. Kemi frikë tani pas revolucionit se asgjë nuk ka ndryshuar. Nuk kërkojmë gjë tjetër vetëm duam të gjejmë punë në Evropë”, thotë një imigrant tridhjetëvjeçar.

Zyrtarët janë të shqetësuar se kriza në Egjipt mund të provokojë një valë të re të ardhurish drejt Italisë.

XS
SM
MD
LG