Lidhje

Mijëra ushtarë amerikanë kthehen nga Iraku


Mijëra ushtarë amerikanë kthehen nga Iraku
Mijëra ushtarë amerikanë kthehen nga Iraku

Mijëra trupa janë kthyer në baza ushtarake në Shtetet e Bashkuara ndërsa Uashingtoni përfundon tërheqjen e forcave nga Iraku. Në Fort Hood të Teksasit, ku po kthehen shumë ushtarë para afatit të tërheqjes amerikane më 31 dhjetor.

Ata po kthehen në shtëpi për festat, duke u pritur si heronj. Ky ishte i fundit nga disa dislokime në Irak për majorin e ushtrisë amerikane Mike Williams.

“Eshtë një eksperiencë e vecantë dhe njeriu ndjen një farë euforie.”

Williams është një nga dhjetra mijëra ushtarë që po lënë Irakun pas vendimit të presidentit Obama për të sjellë trupat në atdhe para fundit të vitit.

Pas tetë vitesh dhe me më shumë se 4 mijë amerikanë të vrarë, trupat janë përsëri në tokën e tyre.Mijëra po kthehen vetëm në bazën Fort Hood, duke dorëzuar armët dhe duke u përgatitur për një jetë tjetër.

Aroma e biskotave të krishlindjeve dhe përqafimet e fëmijëve të tij e kujton Williams se është në shtëpi dhe kësaj here mund të qëndrojë aty për një periudhë të gjatë.

Bashkëshortja e tij, Royann, ka qënë e vetme me fëmijët. Ajo thotë se nuk është e sigurtë në se kjo ishte koha e duhur për largimin e trupave amerikane nga Iraku por ajo po shijon momentin e kthimit të bashkëshortit nga lufta.

“Nuk na është ndalur buzëqeshja. Kemi zbukuruar shtëpinë për krishtlindjet pasi po e prisnim dhe është një mrekulli.”

Ajo reflekton për vuajtjet dhe sakrificat që ka bërë familja e saj për tetë vjet dhe thotë se për të, çdo gjë ja vlen nëse kjo do të thotë se fëmijët e saj do të jetojnë në një botë më të sigurtë.

“Terroristët do t’i luftoja më mire në tokë të huaj sesa në tonën. Do të preferoja që bashkëshortit tim t’i duhej të kthehej për aq kohë atje me shpresën që këtë nuk do të duhet ta bëjnë më vonë fëmijët e mi. Përsa kohë që çdo gjë u bë si duhet, padyshim që sakrifica ja vlejti.”

Williams u përball me zjarrin e armikut disa herë në Irak. Por ai thotë se shpërblimi më i madh është ndjenja se ka bërë atë që i takonte për ta bërë vendin më të sigurtë duke hequr Sadam Huseinin në Irak dhe duke luftuar grupe terroriste si al Qaida.

“Eshtë një arritje e madhe nga pikëpamja se kemi çliruar një vend, u kemi treguar vendin armiqve tanë dhe nuk kemi lejuar që ata të vijnë në tokën tonë për të na sulmuar përsëri. Mendoj se në aspektin afatgjatë strategjia ka shpëtuar shumë ushtarë dhe civilë amerikanë për të bërë sakrificën më të lartë dhe për të shmangur një 11 shtator të dytë”

Williams, ashtu si mijëra të tjerë që kthehen në Fort Hood, po i nënshtrohet një programi riintegrimi dhe për tu përgatitur për rolin e ri si ushtarë në bazë.

“Plani im personal tani është të riintegrohem me familjen, të rinis jetën dhe të kthehem përsëri në njësinë time pas festave e për tu përgatitur për një detyrë të re.”

Williams thotë se lufta kundër terrorizmit nuk ka përfunduar dhe se detyra e tij është të përgatitet për angazhimin e rradhës, kudo dhe kurdo që t’i kërkohet.

Për familjen, kthimi i tij shënon një periudhë të re paqeje.

XS
SM
MD
LG