Lidhje

Historia komike e një shqiptaro-amerikani

  • Julian Zyla

Intervistë me aktorin dhe producentin Mikel Dusi

Këto ditë është shfaqur në kinema të Nju Jorkut filmi MikeyBoy, një komedi e realizuar nga producenti dhe aktori Mikel Dusi. Filmi, që së shpejti filmi pritet të shfaqet dhe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, tregon historinë e një personazhi që ka disa gjëra të përbashkëta me vetë autorin, si për shembull të qenët shqiptaro-amerikan dhe përvoja pas banakut të një picerie. Mikel Dusi u intervistoi në studiot e Zërit të Amerikës në Nju Jork nga kolegu Julian Zyla.

Zëri i Amerikës: Personazhi kryesor i filmit “MikeyBoy” i interpretuar nga ju punon në një pizeri dhe më pas përpiqet të realizojë një film. Ju gjithashtu keni punuar në picerinë e familjes tuaj në Queens, këtu në Nju Jork. Aty ju lindi ideja?

Mikel Dusi: Po dhe jo. Pasi unë jetoj në Los Anxhelos të Kalifornisë prej 10 vitesh tashmë. Por shpesh kur dëshiron të bësh dicka që ka lidhje me ty vendos të shkosh pas në kohë dhe pyet veten: çfarë ishte interesante në jetën time që unë do doja të risillja para kameras? Për mua përgjigja ishte puna në piceri. Pra kështu kemi si personazh djalin shqiptar të picave nga Queens-i, të cilin prindërit e pyesin nëse ai dëshiron të ketë picerinë e vetë, apo ndoshta dëshiron të shkojë të gjejë një nuse, ndoshta jo… “ti je ai që vendos,” i thonë. Pra ata nuk e detyrojnë. Është një histori e bukur, pasi ka shumë njerëz që përjetojnë vërtet diçka të tillë. Dhe nuk mendoj se ka ndonjë gjë të keqe, përkundrazi. Familjet mbretërore përdornin traditën e martesave me lajmësi, ashtu siç vazhdojnë të bëjnë disa shqiptarë dhe njerëz të disa kulturave të tjera.

Zëri i Amerikës: Përveç picerisë, a ka elementë të tjerë autobiografikë në film? Ndoshta për shembull mamaja juaj ju ka kërkuar vërtet të shkonit në Shqipëri për t’u martuar me dikë që nuk e njihnit…

Mikel Dusi: Jo, ata asnjëherë nuk më kanë kërkuar një gjë të tillë. Është në fakt diçka pak e çuditshme sepse unë prisja që ata ta bënin, pasi duke u rritur shihja që shumë prej kushërinjve të mi kishin patur këtë përvojë. Por gjërat ndryshojnë dhe papritur jemi në vitin 2000, 2005, 2010 dhe prindërit e mi më thonë: “jemi në kohë të reja: bëj atë që dëshiron.” Reagimi im ishte: “Dakord, atëherë po shkoj në Kaliforni. Shihemi së shpejti.” Dhe ata më mbështesin. Derisa unë të jem i lumtur edhe ata janë të lumtur.

Zëri i Amerikës: Ju keni lindur këtu në Nju Jork dhe prindërit tuaj janë shqiptarë. Cila është historia e familjes suaj?

Mikel Dusi: Po, unë kam lindur këtu në Manhattan. Babai im ka lindur në Gjakovë, në Kosovë edhe pse atehere ishte ende pjesë e ish-Jugosllavisë. Ndërsa mamaja ime ka lindur në Mirditë, në Shqipëri. Prandaj tani unë jam një person me një kombësi me dy shtete, për shkak të shtetit të ri të Kosovës. Babai im erdhi këtu rreth 40 vjet më parë dhe nisi të bëjë pica, bleu një banesë dhe u martua me nënën time. Kështu, ata të dy punuan së bashku për vite me radhë më parë në piceri e më pas në biznesin imobiliar. Tashmë ka rreth 10 vjet që kanë dalë në pension dhe banojnë ende këtu në Nju Jork. Ndërsa unë jetoj në Kaliforni.

Zëri i Amerikës: Ç’mund të na thoni rreth karrierës suaj? Si nisi pasioni juaj për filmat?

Mikel Dusi: Mënyra se si ky pasion u zhvillua është interesante. Unë isha gjithmonë pas banakut të picerisë, duke argëtuar klientët ndërsa shisja pica. Babai më qortonte dhe thoshte: “Pusho, ti flet shumë.” Unë i thoja: “Dakord babi, por mua më pëlqen të flas me klientët, më pëlqen ti argëtoj.” Plus që sa më shumë ata qëndronin aty, aq më shumë pica do të blinin ose ndoshta blinin një pije freskuese më tepër. Pra ishte një kalim i lehtë për mua të bëhesha aktor pasi më pelqente shumë të argetoja njerëzit. Por gjatë trajnimit ishte ndryshe. Deri atëherë unë thjesht argëtoja njerëzit veç e veç tek piceria, ndërsa kur fillova të interpretoja në skenë gjatë leksioneve të aktrimit isha përballë rreth 100 njerëzve. Më pas, para kameras së filmit isha duke interpretuar ndoshta për miliona njerëz. Pra kalova nga argëtimi për 1 person, tek rreth 100 vetë e më pas për miliona njerëz. Është në fakt e njëjta gjë: argëtim. Veçse në një platformë më të madhe.

Zëri i Amerikës: Filmi Mikey Boy është një komedi, pra synon të bëjë njerëzit të qeshin. A ishte kjo një eksperiencë argëtuese për ju apo më tepër diçka e vështirë? Dhe a ka ndonjë histori të këndshme nga xhirimet që kujtoni në veçanti?

Mikel Dusi: Ishte një përvojë si argëtuese, ashtu dhe e vështirë. Kur udhëton me grupin e xhirimit dhe bën filmime në vende të bukura është kënaqësi. Ne xhiruam për shembull në malet dhe detin e Hawaii-t, shkuam gjithashtu në Festivalin e Filmit në Kanë në jug të Francës, tek kulla e përkulur në Pisa të Italisë, si dhe në Nju Jork, Nju Xhersi, Pensilvani etj. Pra ne patëm shumë vende xhirimi mjaft të bukura. Por gjithashtu, me ato “pushime të paguara” dhe me atë argëtim që shijon kur realizon një film vjen dhe një punë e lodhshme. Duhet të përkujdesesh për shumë gjëra, si në rastin e largimit të disa anëtarëve të grupit të xhirimit kur duhet të gjesh të tjerë, apo kur të duhen pajisje të posaçme për xhrime pranë oqeanit etj. Megjithatë këto gjëra mund t’i zgjidhësh dhe mund të shijosh përvojën.

Zëri i Amerikës: Në film ka shumë skena që duken të rrezikshme nëse do realizoheshin nga njerëz të zakonshëm. Ka momente të shumta në të cilat ju bini, hidheni, përplaseni... në një moment fluturoni brenda një kazani të madh gatimi… U dëmtuat fizikisht në ndonjërën prej këtyre skenave?

Mikel Dusi: Ajo që njerëzit nuk dinë rreth meje është se unë jam marrë me arte marciale. Para se të ushtroja artet marciale, kam praktikuar dhe gjimnastikë. Prindërit na dërgonin në shkollë gjimnastike dhe aty ne hidheshim, rrëzoheshim e rrokulliseshim. Më pas, aty pranë u hap një shkollë karateje ku ne shkuam dhe filluam të studionim karate dhe ku godisnim njëri-tjetrin. Aty mësuam të duronim dhimbjen dhe unë e kam transferuar këtë përvojë tek numrat që realizoj në film. Por kjo nuk do të thotë që nuk kam ndjerë dhimbje gjatë skenave të filmit apo që nuk jam dëmtuar. Megjithatë kjo do të thotë që unë jam një profesionist dhe nuk këshilloj që gjithkush t’i provojë ato lëvizje.

Zëri i Amerikës: Ju do të niseni këto ditë për të promovuar filmin në Kosove dhe Shqipëri. Ku dhe kur konkretisht do te shfaqet filmi MikeyBoy në rajon?

Mikel Dusi: Pas një ndalese të shkurtër në Kosovë për të vizituar disa familjarë, do të shkoj në Shqipëri për pak ditë ku do të promovoj filmin. Më 20 nëntor tek holel Sheraton, pra në “Imperial Cinemas”, do të jetë premiera e MikeyBoy në Shqipëri. Pastaj filmi do të nisë të shfaqet për publikun. Më pas, shkoj në Kosovë. Filmi do të jepet në Kino-abc në Prishtinë dhe hapja atje do të jetë më 5 dhjetor. Jam shumë entuziast për të dyja aktivitetet. Gjithashtu jam duke punuar për të arritur një marrëveshje për shfaqen e filmit në Maqedoni, ndoshta për në datë 11 dhjetor.

Zëri i Amerikës: Në gjithë historikun e kinematografisë, në cilin film do kishit dashur të kishit luajtur dhë në cilin rol?

Mikel Dusi: Do ishte patjetër dicka ndërmjet një filmi me gangsterë si “GoodFellas”, ku personazhet janë për shembull në Bronx në shoqërinë e njëri-tjetrit mes aktiviteteve kriminale që kryejnë, dhe një komedije si “Zoolander”, një film krejtësisht komik ku mund të argëtohesh me shokët e tu gjatë xhirimeve. Pra do të ishte një kombinim i këtyre dy ekstremeve. Dhe nëse do më duhej të zgjidhja një në veçanti mes filmave të realizuar, do thoja se do kisha dashur pikërisht rolin e Ben Stiller si protagonist i filmit “Zoolander”. Më pëlqejnë të interpretoj në komedi, si në rastin e MikeyBoy. MikeyBoy është një personazh argëtues dhe naiv. Ai nuk pranon se ka gjëra që nuk mund t’i bëjë. Dhe sa herë qe ai bën dicka arrin në një farë mënyre të ketë sukses, pavarësisht nga mangësitë e shumta që ka. Është shumë argëtuese të interpretosh një personazh të atillë.

Zëri i Amerikës: Keni plane konkrete për të ardhmen?

Mikel Dusi: Po. Në Los Anxhelos më presin bashkëpunëtorët e mi producentë dhe me ta kemi disa projekte me të cilat po punojmë. Pra, më pret puna ime si producent. Më pëlqen aktrimi dhe shpesh miqtë e mi më kërkojnë të interpretoj në ndonjë rol. Gjithashtu marr pjesë në prova për role në filma të ndryshëm. Por ato janë tepër larg roleve ideale dhe nuk është e sigurt që do të të marrin, prandaj nuk më pëlqen të humbas tepër kohë. Puna si producent më pëlqen pikërisht për faktin se mundësitë i krijon vetë.
XS
SM
MD
LG