Lidhje

Shumëzimi i mikrobeve dhe sëmundja gjumit


Shkencëtarët janë duke ndjekur me kujdes vetitë e shumëzimit të organizmave mikroskopike, përfshirë ato që shkaktojnë sëmundjen e gjumit afrikan. Ata thonë se ajo që ndodh mes dy parazitëve mund të ketë pasoja të rëndësishme tek njerëzit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe De Capua njofton.

Studjuesja Wendy Gibson thotë se kur është fjala për parazitët një-qelizorë, të njohura si "trypanosomet", mënyra e shumëzimit është e rëndësishme. Më parë mendohej se njëqelizorët shumoheshin nga ndarja dhe rindarja e qelizës. Por shkencëtarët thonë se këta lloj parazitësh kanë një jetë seksuale.

“Kjo është e rëndësishme, sepse nëse këta parazitë shumohen si rezultat i ndërveprimit, kjo do të thotë se ata mund të shkëmbejnë mes tyre gjene. Për shembull, në se kemi një lloj paraziti që është rezistent ndaj një ilaçi dhe ai ndërvepron me një tjetër lloj, që nuk është rezistent, ata mund t'i shkëmbejnë gjenet. Rezultati do të ishte një parazit të ri, rezistent ndaj ilaçit dhe kjo është e rrezikshme".

Wendy Gibson është profesore e protozoologjisë në Universitetin e Bristolit.

"Sëmundja e gjumit është e neveritshme. Atë e bartin mizat
"ce-ce" në Afrikën tropikale. Për fat të mirë, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë numri i të sëmurëve ka rënë në më pak se 10 mijë raste të evidentuara. Por vite më parë, kjo sëmundje shfaroste në masë popullsinë afrikane".

Studjuesja shpjegon se si e ka marrë emrin sëmundja.

"Quhet sëmundja e gjumit, pasi paraziti arrin deri tek truri dhe i bën njerëzit të bien në një lloj gjendje gjysëm kome. Ata duket sikur flenë gjatë të gjithë kohës. Dhe kjo fazë e sëmundjes mund të trajtohet me disa ilaçe të pakëndshme. Një prej tyre bazohet tek arseniku, pra merret me mend që nuk bën mirë për organizimin".

Rastet e sëmundjes së gjumit janë pakësuar në saje të diagnostikimit në fazat e hershme, trajtimit të plotë dhe kontrolllit më të mirë mizave "ce-ce". Ky është një lajm i mirë. Por profesoresha Gibson thotë se është gjithnjë e mundur përhapja e sëmundjes përsëri dhe se është e rëndësishme të kuptohet riprodhimi seksual tek mikrobet.

Studimi mbi shoqërimin dhe ndërveprimin e mikrobeve ndihmon për të shpjeguar se si përhapen mikrobet dhe si formohen llojet e reja. Kjo është arsyeja që ajo që po ndodh në Ugandë me mikrobet, po ndiqet me shumë kujdes nga shkencëtarët.

“Në veri të vendit ndeshim me formën e Afrikës Perëndimore të sëmundjes dhe në juglindje ndeshim në formën e Afrikës Lindore. Kjo e fundit është përhapur në drejtim të veriut. Dhe një nga shqetësimet që kemi, është se ajo do të përkojë me formën afrikanoperëndimore të sëmundjes. Në se këto dy lloje parazitësh shumohen së bashku, ata mund të krijojnë një lloj supermikrobi, i cili mund të shkaktojë më tepër sëmundje serioze”.

Tripanosomet bëjnë pjesë tek një grup organizmash, të njohur si protozoa. Këtu përfshihen gjithashtu microbe që shkaktojnë sëmundje si leishmania, që prek organet e brendshme; giardiasi, që shkakton çrregullim tek zorrët dhe trichomoniasi, që është një sëmundje e transmetueshme përmes rrugëve seksuale.
XS
SM
MD
LG