Lidhje

Mikrobet dhe ndryshimet klimatike


Mikrobet dhe ndryshimet klimatike
Mikrobet dhe ndryshimet klimatike

Tabani i ngrirë i Arktikut mban miliarda tonë të dioksidit të karbonit, 250 herë më shumë se sasia e këtij gazi që prodhohet çdo vit nga emetimet industriale në Shtetet e Bashkuara. Por ngritja e temperaturave globale përbën një dilemë: me shkrirjen e tabanit, ky gaz i bllokuar do të çlirohet në atmosferë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Rosanne Skirble një studim i ri analizon më nga afër sesi shkrirja e Arktikut mund të ndikojë tek mikrobet e bllokuara dhe pasojat e tjera të ndryshimeve klimatike.

Gjatë dekadave të ardhshme, ndërsa shkresa e akullt e Arktikut vazhdon të shkrijë, mikrobet e bllokuara në tabanin e ngrirë do të gjallërohen.

“Ka një farë aktiviteti të mikrobeve në temperaturat nën zero. Pra disa nga mikroorganizmat në tokën e ngrirë janë ende aktivë, por akriviteti i tyre mendohet të jetë shumë i ngadaltë.”

…kjo, derisa toka të ngrohet, thotë Janet Jansson, shkencëtare në Loboratorin Lawrence Berkley në Kaliforni dhe drejtuesja e studimit. Jansson, dhe kolegët e saj në Institutin Gjeologjik amerikan dhe Departmentin e Energjetikës, identifikuan mikrobet në tokën e ngrirë dhe çfarë do të ndodhë me mikroorganizmat kur toka të shkrijë.

“Ata nuk ishin mbajtur kurrë në kushte laboratorike. Pra për më shumë se 90 përqind të këtyre bakterieve dhe mikroorganizmave nuk kishim ide se çfarë ishin”.

Hulumtuesit analizuan tre mostra toke nga dheu i pyllit të mbuluar me myshk në qendër të Alaskës. Një gram i vetëm mund të strehojë mijëra specie të ndryshme dhe miliarda qeliza. Por Jansson thotë se fakti që këto mikroorganizma nuk janë rritur asnjëherë në laborator e bën studimin e tyre të vështirë.

“Morëm AND-në e mostrave dhe u përpoqëm të nxjerrim sekuencën e tyre gjenetike për të marrë informacion rreth identitetit të mikroorganizmave por gjithashtu edhe të të gjithë rrugëtimit bio-kimik që kanë përshkuar para ngrirjes dhe pas shkrirjes së tokës.”

Ekipi indentifikoi organizmat një-qelizorë që ushqehen me materien organike të tokës dhe çlirojnë gazin metan, një gaz më i rëndë sesa dioksidi i karbonit.

Shkencëtarët krahasuan mostra të marra nga shtresat e sipërme të ngrira – që ngrijnë dhe shkrijnë çdo vit me ndryshimin e stinëve dhe ato nga shtresat e ngrira përgjithmonë në të cilat mikrobet janë bllokuar për shekuj të tërë. Ndërsa fillimisht duken shumë ndryshe, Jansson thotë se të dyja mostrat u bënë shumë të ngjashme pas shkrirjes.

Jansson thotë se kuptimi i mënyrës sesi mikrobet reagojnë gjatë shkrirjes së akullit do të ndihmojë në përmirësimin e modeleve të krijuara për të parë ndryshimet klimatike.

“Dihet se mikroorganizmat janë të rëndësishëm dhe luajnë një rol kryesor në prodhimin e gazeve që shkaktojë efektin serrë, por meqë për to nuk dihet asgjë sesi reagojnë, ky element i dinamikës së klimës nuk mund të llogaritet mirë.”


Studimi është publikuar në numrin e fundit të revistës Nature.

XS
SM
MD
LG