Lidhje

Miliarderi palestinez ka shpresë të madhe pas revolucioneve në botën arabe


Miliarderi palestinez ka shpresë të madhe pas revolucioneve në botën arabe
Miliarderi palestinez ka shpresë të madhe pas revolucioneve në botën arabe

Është një pamje e pazakontë në territoret e pushtuara nga Izraeli në Bregun Përëndimor: një vilë italiane e zbukuruar me statuja të lashta greke, piktura të Pikasos dhe kopshte të punuara që u ngjajnë atyre të Versajës. Miliarderi palestinez Munib Al Masri, pasuria personale e të cilit përfaqëson një të tretën e ekonomisë palestineze, ka realizuar ëndrrën e tij ekstravagante. Al Masri ftoi korrespondentin e Zërit të Amerikës Luis Ramirez në shtëpinë e tij afër Nablusit për të biseduar rreth vizionit të tij për shtetin palestinez.

Një pallat i ndërtuar në një kodër nga ku shihet qyteti i Nablusit, i zbukuruar me vepra arti autentike nga Evropa.

“Kur isha 19 vjeç, jetoja në Çikago dhe pashë një shtëpi të stilit palladian dhe i thashë vetes kur të kthehem në Palestinë do të ndërtoj një shtëpi të tillë.”

Munib Al Masri e quan atë “Shtëpia Palestineze,” dhe ajo përfaqëson një endërr.

“Ëndrra ime është ndërtimi i një shteti palestinez që do jetojë në paqe me vendet e rajonit, veçanërisht me Izraelin.”

Al Masri kohët e fundit ka drejtuar një delegacion të pavarur në Egjipt, ku sipas tij ndryshimet e fundit kanë rritur shpresën se udhëheqësit e rinj të Egjiptit do t’i ndihmojnë më shumë se më parë palestinezët.

“Para se të shkonim atje ne kishim dyshime. Ndoshta ata janë të zënë me punë, por ndodhi e kundërta. Ne hasëm në mbështetje të madhe nga të gjitha partitë.”

Al Masri po punon edhe për pajtimin mes udhëheqjes së Bregut Përëndimor dhe grupit rival të Hamasit që kontrollon Rripin e Gazës.

“Nëse jemi të përçarë ne kurrë nuk do ta ndërtojmë shtetin. Ata gjithmonë thonë 'Ku është adresa jote, në Gaza apo në Ramallah?'"

Para se të bëhej i pasur duke u marrë me industrinë e naftës dhe gazit, Ali Masri ka përfunduar kolegjin në Shtetet e Bashkuara dhe ka punuar si kamarier për yjet e Hollywood-it.

Tani ai është punëdhënësi më i madh i sektorit privat në Bregun Përëndimor. Ai mund të jetojë kudo.

“E ndjej se kam përgjegjësi të jem këtu për të bërë gjërat që më japin kënaqësi. Nganjëherë urrej veten dhe mendoj se nuk kam arritur shumë në jetë por kur shoh numrin e vendeve të punës që u ofrohen njerëzve dhe gjithëçka tjetër, ndjehem i kënaqur.”

Për Munib Al Masrin, misioni i tij tani është realizimi i një ëndrre tjetër, krijimi i shtetit palestinez.

XS
SM
MD
LG