Lidhje

Miliona njerëzve pa nënshtetësi u mohoen të drejtat themelore


Miliona njerëzve pa nënshtetësi u mohoen të drejtat themelore
Miliona njerëzve pa nënshtetësi u mohoen të drejtat themelore

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët ka nisur një fushatë për të shtuar ndërgjegjësimin ndaj gjendjes së vështirë të miliona njerëzve nëpër botë, që aktualisht nuk janë qytetarë të ndonjë shteti. Agjencia e OKB-së për Refugjatët thotë se vlerësohet se 12 milionë njerëz jetojnë në një situatë të papërcaktuar ligjore. Për shkak se ata nuk rezultojnë të kenë kombësi, këtyre njerëzve pa nënshtetësi shpesh u mohoen të drejtat themelore, që u përkasin atyre që janë shtetas të një vendi, përfshi të drejtën për t’u punësuar, për të pasur shtëpi, edukimin dhe kujdesin ndaj shëndetit. Agjencia e Kombeve të Bashkuara po bën thirrje që më tepër shtete të firmosin dy marrëveshje të cilat synojnë zgjerimin dhe përmirësimin e të drejtave të njerëzve pa nënshtetësi.

Oftoboy Kadibayeva është 34-vjeçe dhe nënë e katër fëmijëve. Vajza e saj e madhe është me aftësi mendore të kufizuara, ndërsa fëmija e saj e fundit nuk ka çertifikatë lindjeje. Ajo dhe bashkëshorti i saj kishin pasaporta sovjetike, të cilat u shkatërruan gjatë konfliktit të dhunshëm ndër-etnik që përfshiu Kirgistanin në qershorin e vitit 2010, duke i bërë ata të mos jenë qytetarë të ndonjë shteti.

“Për shkak se unë jam pa nënshtetësi dhe nuk kam pasaportë, kam probleme për marrjen e dokumentave të nevojshme për fëmijët. Së dyti, dokumentat e ndihmës sociale të vajzës sime nuk janë më të vlefshme. Më duhet t’i përsërit, por ky është një problem shumë i madh meqë nuk kam pasaportë. Nuk mund të marr asnjë çertifikatë lindjeje për fëmijën tim të vogël. Për shkak se jam pa nënshtetësi dhe pa dokumenta, nuk mund të përdor as shërbimet mjekësore”.

Njerëzit pa nënshtetësi nuk kanë kombësi. Për këtë arsye, vendet zakonisht u mohojnë mbrojtjen dhe shërbimet që u ofrohen qytetarëve. Këta njerëz zakonisht nuk kanë të drejtën e shkollimit apo atë të përfitimit prej shërbimeve mjekësore.

Shpesh, njerëzve pa nënshtetësi u mohoen edhe të drejtat e lidhura me pronën, lirinë e udhëtimit, martesën e ligjshme, apo regjistrimin e lindjes së fëmijës, ashtu si në rastin e fëmijës së zonjës Kadibayeva. Duke pasur shumë pak mundësi apo mbështetës, njerëzit pa nënshtetësi konsiderohen si ndër më të prekurit prej problemeve të ndryshme në rang botëror.

Ndihmës Komisionerja e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, Erika Feller thotë se këta njerëz jetojnë në një situatë krejtësisht të papërcaktuar. Ata janë praktikisht të padukshëm.

“Njerëzit pa nënshtetësi, të cilët janë njerëz që nuk kanë kombësi dhe nuk kanë një shtet që t’u ofrojë atyre mbrojtje dhe shërbime konsullore, janë në pozita jashtëzakonisht të dobta... pse? Sepse ata zakonisht janë një pjesë e fshehur e popullatës”.

Edhe vdekja e tyre, thotë Feller, kalon pa u vënë re. Për ta nuk lëshohen çertifikata vdekjeje.

“Nëse nuk ke nënshtetësinë dhe vdes, nuk ka asnjë dokument në lidhje me vdekjen sepse personi nuk ekziston i regjistruar diku dhe kështu që edhe vdekja kalon në mungesë”.

Zonja Feller thotë se të qënit një njeri pa nënshtetësi rrit mundësitë për trafikimin e fëmijëve. Ata zhduken lehtë sepse nuk ka të dhëna të dokumentuara mbi ta. Ajo thotë se këta njerëz janë më të prirur të bien viktima të skllavërisë, prostitucionit dhe abuzimeve të tjera.

“Një shembull është përfshirja e tyre në forcat e armatosura apo për punë të detyruar. Pa mbrojtje nga ligji dhe pa mbrojtjen që një shtet të jep, këta njerëz bien lehtësisht viktima të krimit”.

Ka shumë arsye të cilat bëjnë që njerëzit të ngelen pa nënshtetësi. Një nga më të rëndësishmet është diskriminimi racial dhe etnik. Për shembull, Mauritania dëboi rreth 75 mijë mauritanezë me ngjyrë në vitin 1989.

Diskriminimi gjinor është një tjetër shkaktar i rëndësishëm i kësaj situate juridike. Reth 30 vende, përfshi Marokun, Libanin dhe Arabinë Saudite, nuk i lejojnë nënave të martuara me shtetas të huaj t’u kalojnë fëmijëve kombësinë e tyre.

Nënshtetësia humbet gjithashtu nëpërmjet procesit të shpërbërjes së shteteve. Shefi i Departamentit për Njerëzit pa Nënshtetësi i OKB-së, Mark Manly, përmend se në fillimet e viteve 90-të, më tepër se gjysma e njerëzve pa nënshtetësi humbën kombësinë e tyre për shkak të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Federatës Jugosllave.

“Është e rëndësishme të theksohet se shumë prej këtyre njerëzve kanë marrë nënshtetësinë e vendeve të krijuara pas shpërbërjes. Në rastin e Federatës Ruse të dhënat, sipas autoriteteve ruse, flasin për mbi 500 mijë njerëz që prej vitit 2003”.

Dy marrëveshje ndërkombëtare janë nënshkruar në vitet 1954 dhe 1961 për të zgjidhur çështjen e mungesës së kombësisë të miliona njerëzve. Ato vendosin nivele minimale për trajtimin e tyre si dhe modele ligjore për të ndihmuar shtetet në pakësimin e këtij fenomeni. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët po bën thirrje që më tepër shtete të nënshkruajnë këto marrëveshje dhe të heqin pengesat ligjore që krijojnë situatën e mungesës së nënshtetësisë.

Kjo agjenci njofton se Bangladeshi, Brazili, Iraku, Vietnami dhe Indonezia janë disa prej vendeve që kanë ndryshuar ligjet e tyre me sukses duke u dhënë shtetësinë njerëzve të cilët nuk e gëzonin atë më parë

XS
SM
MD
LG