Lidhje

Grupi “Milionerët Patriotë” për rritje taksash


Me nisjen e negociatave mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit për të shmangur të ashtuquajturën “Katastrofa fiskale”, ndërsa amerikanët presin të qartësohen se çka do të sjellin këto bisedime në jetën e tyre, rreth 200 milionerë kanë mbërritur në Uashington për të ripërsëritur thirrjen që të ketë rritje taksash për amerikanët e pasur.

“Amerikanët e pasur shpesh paguajnë taksa më të ulëta se sa një nënë e divorcuar me dy fëmijë”.

Në Uashington - një grup i vetquajtur “Milionerët Patriotë” i janë drejtuar Kongresit me mesazhet e tyre për presidentin e ligjvënësit: “Na taksoni ne më shumë, ne e përballojmë”.

“Ne kemi përqindjen më të lartë të rritjes së pabarazisë në vendet e zhvilluara”.

Ata janë në të njëjtin krah me Presidentin Obama, i cili është zotuar të rrisë taksat për amerikanët e pasur si pjesë e marrëveshjes së buxhetit, e nevojshme për të shmangur krizën. E ashtuquajtura “katastrofa fiskale” do të fuste në fuqi rritjen e taksave dhe shkurtime të thella buxhetore, nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 31 dhjetorit.

“Kur flitet për 2 përqindshin, ajo që unë nuk do të bëjë është të zgjas shkurtimin e taksave për njerëz që nuk e kanë të nevojshme. Kjo mund të kushtojë triliona dollarë”.

Por kryetari i Dhomës së Përfaqësuesëve John Boehener e ka bërë të qartë se amerikanët e pasur nuk do të kenë rritje taksash.

“Kam projektuar një kornizë ligjore se si të dyja krahët duhet të punojnë së bashku për të shmangur katastrofën fiskale pa rritje taksash”.

Grupi “Milionerët Patriotë” nuk bie dakort me zotin Bohener, për çështjen e ngritur nga republikanët se taksimi i atyre që krijojnë vende pune do të sjellë hapjen e më pak vendeve të punës. T.J.Zlonitsky është drejtor për Sistemin e Kontrollit, një kompani që merret me studimin e të dhënave.

“Nëse unë marr një vendim nëse do të punësoj ose jo njerëz që mund të ndihmojnë rritjen e biznesit tim, unë e marr këtë vendim bazuar në nevojat e kompanisë time, nëse kam kërkesë, apo nëse kjo do ndikonte në rritjen e biznesit. Përsa i përket përqindjes së taksave të mia personale, kjo nuk ndikon fare tek strategjia për punësim në kompaninë time”.

Milionerët argumentojnë se hedhja e barës së taksave mbi klasën e mesme për të paguar defiçitin e Shteteve të Bashkuara do të jetë shumë më keq për ekonominë. Frank Patitucci është drejtor ekzekutiv i kompanisë “NuCompass Mobility”.

“Është shumë e rëndësishme për klasën e mesme. Nëse humbet klasën e mesme, humbet klientët. Një klasë e mesme e fortë ndihmohet nga një sistem i drejtë taksash që çon drejt një ekonomie afatgjatë e të shëndetshme”.

Grupi “Milionerët Patriotë” kanë më shumë se 200 pjestarë anemabë vendit , të cilët punojnë në fushat e shkencës, artit dhe teknologjisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG