Lidhje

Militantët në Irak marrin një tjetër qytet


Luftëtarët suni kanë marr nën kontroll një qytet irakian në kufi me Sirinë, duke lejuar militantët të kalojnë lirisht me armët e tyre mes të dy vendeve.

Zyrtarët e sigurisë thane se luftëtarët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit morën kontrollin e qytetit Kaim gjatë natës pas një ditë luftimesh të ashpra. Agjencia e lajmeve Associated Press citoi zyrtarë të paidentifikuar të kenë thënë se njerëzit po lëvizin lirisht në të dyja anët e kufirit.

Në një tjetër zhvillim sot, mijëra luftëtarë besnik të klerikut të fuqishëm shiit Moqtada al-Sadr parakaluan me armë në lagjen Sadër të Bagdatit. Ata premtuan të luftojnë militantët që kontrollojnë tani një pjesë të madhe të veriut të Irakut dhe kanë lëvizuar më pranë kryeqytetit.

Dje kleriku i lartë shiit bëri thirrje për një qeveri të re efektive që do të mënjanojë “gabimet e kaluara” duke shtuar presionin mbi kryeministrin irakian , Nouri al-Maliki.

Deklaratat e Ajatollahut të Madh Ali al-Sistani vijnë pasi presidenti amerikan Barack Obama i bëri thirrje zotit Maliki të krijojë një plan pune gjithpërfshirës për pakicat suni dhe kurde ose do të rrezikojë një luftë civile.
XS
SM
MD
LG