Lidhje

Shtohet numri i vetvrasjeve në ushtri

  • Luis Ramirez

Për shumë veteranë të luftrave në Irak dhe Afganistan, kthimi në shtëpi është më i vështirë sesa koha e kaluar në luftë, dhe shkalla e vetvrasjeve mes ushtarakëve po shkon drejt rritjes, duke tejkaluar vetvrasjet mes popullsisë civile amerikane. Në një kohë kur vetvrasjet në ushtri kapin numrin e afro një ushtari në ditë, udhëheqja ushtarake dhe familjarët e ushtarëve po kërkojnë për gjejtjen e një përgjigje.
Nuk ishin bombat në Irak por kthimi në shtëpi që rezultoi në vdekjen e Josh Lipstein. 23 vjeçari kreu vetvrasje vitin e kaluar, pas kthimit nga dislokimi i dytë në Irak.

I ati, Don Lipstein, thotë se Josh vuante nga përdorimi i drogës, dhe nuk donte të hapej para terapistit ushtarak nga droja e humbjes së reputacionit.

“Si shoqëri e trajnojmë ushtrinë të jetë e fortë, por duhet të gjendet kjo forcë edhe pas kthimit nga sherbimi ushtarak.”

Ekspertët thonë se rreziku i vetvrasjeve shtohet ndërkohë që ushtarët bëjnë tranzicionin në jetën civile dhe përballen me çështje si stresi pas traumës, trauma nga plagosjet në kokë, abuzimi me substanca dhe vështirësi financiare, shpesh të vetëm pa strukturën e jetës në ushtri.

Shumë nuk kërkojnë ndihmë nga droja e dëmit në karrierë.

Por shumë të tjerë si Lance Michael Harris me Marinën amerikane, e bëjnë këtë. Vëllai i tij, Ben, thotë se Michael u vetvra shkurtin e kaluar pas dislokimit në Afganistan.

“Të paktën Michael po kërkonte ndihmën e departamentit të konsultimeve, por kur u tregoi se po pinte shumë dhe pranoi se kërkonte ndihmë, atij iu tha se tani kategorizohej në listën e abuzuesve të substancave dhe nuk mund ta ndihmonin atë.”

Ushtria filloi trainimin për parandalimin e vetvrasjeve vite më parë, por veprimtarët thonë se sistemi me një strukturë të rreptë i kategorizimit të pacientëve po dështon në marrjen e përgjegjësive për individët e rrezikuar që kërkojnë ndihmë. Rezultati: shanse të humbura.

Ekspertë të qeverisë amerikane për shëndetin në një konferencë të kohëve të fundit në Washington thanë se 70 përqind e vetvrasjeve në ushtri janë konsultuar me mjekun, shumë prej tyre vetvriten të njëjtën ditë.
Sekretari i Mbrojtjes Leon Panetta thotë se çështja e vetvrasjeve është ndoshta sfida më dëshpëruese që ka ndeshur në këtë post.

“Nuk ka përgjigje të lehta ndaj problemit dhe sfidës së vetvrasjeve, por nuk është shkak për mos gjetjen e zgjidhjes së problemit për vetvrasjet.

Don Lipstein nuk do ta ketë më djalin e tij, por duke iu bashkuar një grupi veprimtarësh që po ngrenë zërin, po e ndihmojnë atë ta kthejnë tragjedinë në diçka pozitive.

“Ky është një fillim...të ulesh përballë njerëzve sot, tu tregosh atyre historinë dhe të shpresosh se mund të shpëtosh një jetë.”

Ben Harris shpreson se ushtria do të përdorë një qasje më të përgjithëshme dhe më pak burokratike.

“Sa më shumë të bëjmë për edukimin e të gjithë pjestarëve të ushtrisë në të gjitha rangjet se plagët e padukshme dhe sëmundjet emocionale janë të rrezikshme për ushtrinë tonë të gatshme për të sherbyer, aq më mirë do të jetë.”

Epitafi i Michal Harris thotë : “Shumë mbresëlënës për këtë botë”
Ai duhet të kishte mbijetuar kthimin në shtëpi.
XS
SM
MD
LG