Lidhje

Sfidat për një projekt për mineralet e rralla


Burimi më i madh në botë i elementeve të rralla të Tokës mund të jetë në Korenë e Veriut, sipas një kompanie britanike me bazë në Ishujt Virgjine. Kjo kompani ka nënshkruar një projekt të përbashkët për shfrytëzimin e tyre. Analistët thonë se në se provohet, ky zbulimmund të ndryshojë tregun e elementeve të rralla, si dhe polikat në Azinë Verilindore, por vetëm në se Pheniani do të ketë vullnetin për t'u reformuar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Daniel Schearf njofton nga Seuli:

Një studim gjeologjik tregon se Koreja e Veriut mund të përmbajë rreth 216 milionë tonë elemente të rralla minerale, që përdoren në elektronikë, si psh tek telefonët inteligjentë dhe televizorët me definicion të lartë. Në se verifikohet zbulimi i njoftuar, do të dyfishoheshin burimet e njohura globale të mineraleve të rralla dhe shifra do të ishte sa 6-fishi i rezervave të Kinës, që udhëheq tregun e këtyre burimeve.

Kompania private SRE e mineraleve i bëri të njohura rezultatet e studimit në dhjetor, krahas me një marrëveshje 25-vjeçare për nxjerrjen e depozitave në Jongju, në veriperëndim të kryeqytetit Phenian. Projekti i kompanisë britanike SRE, i njohur si Mineralet e Rralla Shekullore të Paqësorit është i përbashkët me Korporatën e Biznesit e Burimeve Natyrore të Koresë Veriut, një ndërmarrje shtetërore.

Scott Bruce, i kompanisë East-West Center në Hawai, dha një intervistë me Skype për Zërin e Amerikës. Ai thotë se depozitat e zbuluara jo vetëm që mund ta lëkundin pozicionin e favorshëm të Kinës në treg, por mund të përmirësojë edhe marrëdhëniet e Koresë së Veriut me Japoninë dhe Korenë e Jugut, dy nga importuesit më të mëdhenj të mineraleve.

“Në se Koreja e Veriut do të ishte e aftë ta fillonte këtë program dhe të zhvillonte industrinë e vet, kjo ndoshta do ta ndihmonte atë të integrohej me fqinjët dhe të mos ishte më vrima e zezë në qendër të Azisë Verilindore".

Pasuritë minerale të Koresë së Veriut, prej vitesh vlerësohen në triliona dollarë dhe sipërmarrja Jongju mund të jetë e para që shfrytëzon mineralet e rralla të Tokës.Por për këtë projekt ka pengesa të jashtëzakonshme.

Kompanitë që bëjnë biznes në Korenë e Veriut ndeshen me rreziqe të mëdha në kontaktet me regjimin e izoluar. Infrastruktura jo e mirë e vendit, gjendja e keqe e rrugëve dhe furnizimi i pamjaftueshëm me energji do ta vështirësonte biznesin e ndërlikuar dhe të kushtueshëm të mineraleve të rralla.

Edhe në se projekti ka sukses në nxjerrjen e mineraleve, ai përsëri ndeshet me sfida nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe OKB-së ndaj Koresë së Veriut. Kushtet jo të mira të punës në Koresë e Veriut, përfshirë punën e detyruar, mund t'i bëjnë kompanitë e huaja objekt akuzash për shkeljen të drejtave të njeriut.

Kompania "Pacific Century"thotë se për realizimin e këtij projekti, duhen vendosur kontrolle të shumta proceduriale për t'u siguruar që veprimet të kryhen sipas standarteve ndërkombëtare të etikës në industrinë minerale.

Leonid Petrov është studjues për Korenë në Kolegjin e Azisë dhe Paqësorit të Universitetit për Studime Kombëtare të Australisë. Ai thotë se Pheniani nuk ka interes në reformimin e ekonomisë së vendit, për të përmbushur rregulloren e nevojshme për të mbështetur investimet e huaja.

"Dy kushtet e mbijetesës së Koresë së Veriut, kriza e vazhdueshme dhe izolimi, të cilat janë të nevojshme për ruajtjen e regjimit aktual, do të rrezikoheshin. Diçka e ngjashme ndodhi gjatë 10 viteve të Politikës "Sunshine", kur filloi tregtia dhe bashkëpunimi mes dy Koreve. Mes të dy vendeve pati shkëmbime. Por shpejt ata e kuptuan se për Korenë e Jugut kjo ishte shumë e kushtueshme, ndërsa për Korenë e Veriut ishte tepër e rrezikshme."

Zoti Petrov argumenton se Pheniani nuk do të rrezikonte ndryshimin në vend, përmes hapjes së mëtejshme të sektorit të minierave dhe mund të vazhdonte t'i shiste minerale Kinës, për të siguruar valutë për elitën e vendit.

“Pra, unë mendoj se mineralet e rralla të tokës do të mbeten nën kontrollin e qeverisë kineze dhe ndikimi ekonomik i Kinës do të vazhdojë ta mbrojë Korenë e Veriut si në aspketin ushtarak, edhe në atë logjistik; po ashtu, politika e "fuqisë së butë" apo përmes bindjes e Kinës, nuk do ta tradhëtojë regjimin, që shfrytëzohet nga Kina si një vend ndërmjetës në raport me fqinjët dhe Perëndimin. Prandaj, ky mineral i zbuluar së fundi mendoj do ta mbështesë regjimin."

Agjencia "U.S. Geological Survey", e cila përpilon të dhëna për burimet minerare, thotë se nuk ka patur informacione të mjaftueshme për të komentuar mbi rëndësinë e këtij njoftimi.

Kompania SRE Minerals pranon se vlerësimet për mineralet e rralla të tokës mendohet se ekzistojnë dhe nuk janë provuar ende. Ajo ka në plan, që përmes projektit të përbashkët, të marrë mostra të tjera në muajin prill, për të vlerësuar më mirë potencialin e mineraleve të rralla të Koresë së Veriut.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG