Lidhje

ISIS merr përgjegjësinë për një sulm me thikë në Minesota


Një agjenci lajmesh e Shtetit Islamik tha se një sulm me thikë në një qendër tregtare në shtetin amerikan të Minesotës të shtunën është kryer nga një “ushtar i shtetit islamik”.

Agjencia e lajmeve Amaq pohoi të dielën se i dyshuari i kishte kushtuar vëmendje thirrjeve të grupit terrorist për sulme në vendet që janë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS-it. Zyrtarët amerikanë nuk kanë komentuar mbi lajmin.

Autoritetet e Minesotës thanë se tetë persona janë plagosur në sulmin me thikë në qendrën tregtare në qytetin Saint Cloud.

Shefi i policisë William Blair Anderson tha se një polic jashtë detyrës qëlloi dhe vrau të dyshuarin.

Shefi Anderson tha se të gjithë, përveç njërit prej viktimave, kanë dalë nga spitali dhe asnjëri prej tyre nuk është plagosur me rrezik për jetën.

Ai tha se sulmuesi thuhet se ka bërë referenca për Allahun gjatë sulmit në qendrën tregtare “Crossroads Center” dhe pyeti nëse ndonjëri ishte mysliman.

Megjithatë, zoti Anderson nuk e quajti sulmin një akt terrorizmi, duke thënë se motivi është ende i paqartë.

Shteti Islamik ka inkurajuar sulme individuale, por ka marrë përgjegjësi edhe për sulme në të kaluarën, që nuk besohet të kenë qenë planifikuar nga udhëheqja qendrore e grupit.

XS
SM
MD
LG