Lidhje

Paga minimale në SHBA


Punonjësit e restoranteve “fast food” dhe përkrahësit e tyre po protestojnë duke kërkuar rritje të pagës minimale dhe të drejta të tjera të punës. Nën moton “Lufto për 15”, protestat pritet të shtrihen në të gjithë vendin, me punonjës të profesioneve të ndryshme që kërkojnë një pagë minimale prej 15 dollarësh në orë. Paga minimale e vendosur nga qeveria federale është 7.25 dollarë në orë, ndërsa shumica e shteteve amerikane kanë të përcaktuar minimumin e tyre të pagës.

Kuzhinierë dhe arkëtarë të shumë restoranteve “fast food”, si McDonald’s, Subway, Burger King etj., marshuan drejt bashkisë së Nju Jorkut kohët e fundit, duke kërkuar rritje të pagës minimale në nivelin 15 dollarë në orë. Shumë thonë se u duhet të bëjnë dy punë vetëm për të mbijetuar.

“Momentalisht fitoj 8,75 dollarë në orë. Kam tetë vjet e gjysëm që punoj këtu dhe nuk kam mundur të përfitoj një pagë të mjaftueshme për të jetuar.”

Ata që marrin pagën minimale prej 8 dollarësh në orë në Nju Jork, thonë se nuk u mjafton për të paguar qeranë dhe për të blerë ushqime.

“Kam punuar 40-50 orë në javë dhe mezi më del të paguaj qeranë. Më duhet të marr asistencë nga qeveria për të marrë ushqime.”

Ky punëtor në McDonald’s thotë se sapo është kthyer nga Danimarka, ku paguhej 20 dollarë në orë për të njëjtën punë në McDonald’s.

“Në Danimarkë nuk kanë të përcaktuar një pagë minimale, por punëtorët në fast food paguhen rreth 20 dollarë ora. Pse McDonald’s paguan punonjësit në Danimarkë me 20 dollarë ora dhe në New York me 8 dollarë ora?”

Një tjetër protestë u organizua në Çikago, ku ata që paguhen me minimumin e atjeshëm prej 8.25 dollarë ora gjithashtu thonë se nuk u mjafton.

“Është tepër e vështirë të mbijetosh me këtë lloj page, veçanërisht në Çikago. Vetëm qeraja për një apartament me një dhomë është rreth 850-1000 dollarë në muaj. Kjo do të thotë që nuk më del për t’u vizituar në doktor, nuk mundem të shkoj tek dentisti. Asgjë nga këto nuk bëj dot pasi nuk ka siguracion shëndetësor falas. Nuk mundem as të marr një ditë pushim kur jam i sëmurë.”

Këshilli bashkiak i Çikagos pritet të votojë për planin e kryetarit të bashkisë për të rritur minimumin e pagës në qytet në nivelin 13 dollarë ora deri në vitin 2019.

Disa pronarë biznesesh të vogla thonë se nuk munden të përballojnë rritjen pagave pa një subvencionim nga qyteti.

“Nëse kryebashkiaku do ta rrisë pagën pa masat e duhura, atëherë pronarët e dyqaneve do të duhet të rrisin çmimet.”

Por, ka dhe nga ata që thonë se një pagë më e mirë mban punonjës më të dedikuar.

“Si punëdhës, është më mirë të kesh njerëz të mirë rrotull teje, ndërsa aftësitë jua mëson në vazhdimësi.”

Protestuesit thonë se ata po shfrytëzohen nga korporatat e mëdha.

“Nuk është e drejtë pasi këto korporata po fitojnë miliarda dhe nuk i paguajnë mjaftueshëm punonjësit. Nuk e kuptoj pse veprojnë kështu, pasi e kanë mundësinë për të na paguar më shumë.”

Firmat e ushqimit “fast food” thonë se degët e tyre të restoranteve janë përgjithësisht në pronësi të palëve të treta që kanë përgjegjësinë e pagës së punonjësve.

Organizatorët e protestave për pagën minimale thonë se protesta do të shtrihet në 190 qytete të Shteteve të Bashkuara, dhe se do t’u bashkohen edhe punonjësit e firmave ajrore dhe të kujdesit shtëpiak.

XS
SM
MD
LG