Lidhje

Ministrat e BE-së takohen për të diskutuar çështjen e borxhit

  • Zëri Amerikës

Ministrat e BE-së takohen për të diskutuar çështjen e borxhit

Ministrat e BE-së takohen për të diskutuar çështjen e borxhit

Ministrat e financave të eurozonës ndodhen në Bruksel në përpjekje për të shpëtuar euron dhe për të mbrojtur Evropën, Shtetet e Bashkuara, Azinë dhe pjesën tjetër të ekonomisë globale nga një cunami financiar. Në diskutimet e sotme të ministrave të financave përfshihej edhe çështja e lëshimit të eurobonove të përbashkëta.

Ekziston frika se kriza që tashmë i ka bërë Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë të varen nga ndihmat financiare, mund të përfshijë edhe ekonomitë më të mëdha evropiane si Italinë, e treta në eurozonë.
Nëse Italia nuk do të arrijë të paguajë borxhin e saj prej 1.9 trilionë eurosh, kjo do të kishte pasoja të rënda për euron dhe do të shkaktonte tronditje në gjithë ekonominë globale.

Normat e huamarrjes për Italinë sot arritën mbi 7 për qind, një nivel i papërballueshëm, i cili muaj më parë i detyroi disa vende të tjera të kërkonin ndihmë financiare.
Në diskutimet e sotme të ministrave të financave përfshihej edhe çështja e lëshimit të eurobonove të përbashkëta.
Tre vendet e vogla të BE-së, Greqia, Portugalia dhe Irlanda që po mbijetojnë me ndihma financiare, tashmë janë përjashtuar nga tregjet e bonove ndërkombëtare.

Gjermania, me nivelin më të lartë të kreditit, e ka kundërshtuar vendosmërisht idenë e pjesmarrjes në eurobonot.

Por trysnia mbi Berlinin për të ndryshuar qëndrim është intensifikuar ndërkohë që kriza e borxhit në ekonomitë e vogla si Greqia mund të përhapet edhe në vendet e mëdha si Italia, duke kërcënuar shkatërrimin e eurozonës.
Ekonomisti grek Vangelis Agapitos nuk mendon se do të ketë të papritura në lidhje me këstin e vonuar të vendit të tij për të paguar kredinë, por sipas tij çështja është se çfarë do të ndodhë me fondet e ardhshme.

“Nuk pres ndonjë befasi. Jam më i shqetësuar për kohën që kemi humbur sepse në të vërtetë në dhjetor ne po marrim këstin e muajit shtator. Çfarë do të ndodhë me këstin e dhjetorit?”

Në Frankfurt, analisti financiar Robert Halver thotë se rezultati i vetëm i efektshëm do të ishte një vendim i cili do të lejonte Bankën Qendrore Evropiane të shtypte para.
“Gjermanët duhet të heqin dorë nga gënjeshtra e stabilitetit gjerman, çështja është tani stabiliteti i Eurozonës dhe hapat e vogla që kemi ndërmarrë deri më sot nuk janë të mjaftueshme”.
Një zyrtar francez tha sot se Franca mund të propozojë lëshimin e bonove të përbashkëta nga vendet me klasifikim të lartë krediti, edhe pse Gjermania e kundërshton këtë ide.
E gjithë bota është duke ndjekur zhvillimet në eurozonë. Nuk është thjesht çështja e monedhës së përbashkët, euro që përdoret nga 332 milionë njerëz.
Siç ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel dhe të tjerë, në qoftë se euroja dështon, atëherë do të dështojë edhe Bashkimi Evropian prej 27 vendesh, i krijuar nga një përpjekje e suksesshme diplomatike që bashkoi kontinentin e shkatërruar nga dy luftëra botërore.

XS
SM
MD
LG