Lidhje

Ministrat e Brendshëm të BE diskutojnë çështjen e imigracionit


Ministrat e Brendshëm të BE diskutojnë çështjen e imigracionit
Ministrat e Brendshëm të BE diskutojnë çështjen e imigracionit

Ministrat e drejtësisë dhe ata të brendshëm të Bashkimit Evropian u takuan sot për të diskutuar rreth imigrantëve të paligjshëm që po hyjnë në vendet e BE-së. Shumica a imigrantëve janë nga vendet e Afrikës veriore të përfshira nga trazirat. Disa vende kanë kërkuar shtrëngimin e kontrolleve kufitare në zonën Shengen. Ministrat synojnë të dalin me disa propozime për takimin e nivelit të lartë të BE-së, muajin e ardhshëm.

Vendet Evropiane kanë mosmarrëveshje të thella për mënyrat si të zgjidhin çështjen e imigracionit të paligjshëm dhe kriminalitetit. Ministri i brendshëm italian Roberto Maroni, tha se sistemi i survejimit i BE-së Frontex duhet të fillojë negociatat me Tunizinë për partrullime të përbashkëta të kufijve, siç është vendosur në një takim të muajit të kaluar.

Danimarka, e cila kishte kërkuar instalimin e stacioneve të përhershme të kontrollit përgjatë kufijve të saj u kritikua për këtë qëndrim.

Ndërkohë, ministri i jashtëm gjerman Hans Peter Fridrich tha se duhet të forcohen dhe ruhen masat e marrëveshjes së Shengenit për udhëtimin e lirë.

“Marrëveshja e Shengenit duhet forcuar që liria e udhëtimit të ruhet. Kjo mund të arrihet vetëm atëherë kur qytetarët tanë të jenë të sigurtë se me lëvizjen e lirë, me kufijtë e hapur dhe të pakontrolluar apo edhe në situata të vështira, siguria nuk do të rrezikohet. Por kontrollet duhet të jenë të mundshme vetëm në raste ekstreme”.

Sistemi i Shengenit që fillimisht u miratua nga një numër i vogël vendesh në vitin 1986 është shndërruar në një zonë “pa kufij” që tani përfshin 25 vende.

Por ka patur kritika kryesisht nga konservatorët dhe forcat e djathta se sistemi i zonës Shengen ka ndihmuar imigrantët e paligjshëm të udhëtojnë me lehtësi.

Udhëtimi i pa penguar në të gjithë kufijtë e vendeve anëtare të marrëveshjes Shengen është bërë gur themeli i politikës së BE-së dhe shumë vende nuk duan ta ndryshojnë këtë.

XS
SM
MD
LG