Lidhje

Ministrat e Financave të BE-së shtyjnë vendimin për Greqinë


Ministrat e Financave të BE-së shtyjnë vendimin për Greqinë
Ministrat e Financave të BE-së shtyjnë vendimin për Greqinë

Ministrat e Financave të Eurozonës thanë se Greqia duhet të miratojë reforma të rrepta ekonomike para se të marrë pagesën tjetër të huasë prej 12 miliard dollarësh nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Krerët europianë të financave nuk arritën të binin dakort për t’i dhënë pagesën e radhës Athinës pas disa orë bisedimesh sot në Luksemburg.

Ministrat e Financave të Eurozonës u mblodhën sot për të dytën ditë në Luksemburg për të diskutuar krizën e borxhit grek. Ata nuk arritën të merrnin një vendim përfundimtar mbi pjesën e huasë nga paketa e ndihmave që i nevojitet Greqisë për të paguar borxhin në kohë.

Zyrtarët thanë se presin që Athina ta marrë shumën prej 12 miliard eurosh të huasë në mesin e korrikut për të shmangur një krizë financiare në Greqi dhe Europë.

Megjithatë, ministrat europianë këmbëngulën për vazhdimin e trysnisë ndaj Athinës për masat e shkurtimeve dhe thanë se dhënia e parave do të varet tek miratimi i ligjeve dhe reformave financiare nga parlamenti grek dhe shitja e pronave shtetërore.

“Greqia duhet të marrë vendimin e duhur, sepse alternativa do të ishte shumë më e rëndë për të.”

Greqia mori një paketë ndihmash prej 110 miliard dollarësh vitin e kaluar, por vazhdon të ketë probleme ekonomike.

Ministri i Jashtëm gjerman tha se gjetja e një zgjidhjeje për krizën financiare të Greqisë është proces i dhimbshëm, por që mund të bëhej përmes konsolidimit të buxhetit.

“Procesi nuk do të jetë i lehtë, siç e kemi parë edhe në vende të tjera të Europës. Kjo është çështje e konsolimit të buxhetit. Ilaçi mund të jetë i hidhur por jep rezultat.”

Ministrat njoftuan se do të punonin për një paketë të dytë ndihmash për Greqinë, e cila nuk arriti të paguajë borxhet përmes planit të parë të paketës së ndihmave. Plani pritet të bëhet i njohur nga fillimi i muajit korrik dhe do të përfshijë hua zyrtare dhe, për herë të parë, edhe kontribute nga investitorë privatë.

Ndërkohë sot, mijëra demonstrues u mblodhën përsësi në sheshin qendror Sintagma të Athinës, para parlamentit, për të protestuar kundër masave të qeverisë për shkurtimin e shpenzimeve.

Edhe tregjet greke patën rënie sot pas dështimit të ministrave europianë për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë Greqisë pjesën e huasë që duhet të shlyej para se të kalojë afati dhe për të shmangur një kaos financiar.

XS
SM
MD
LG