Lidhje

Ministri i Jashtëm turk në Tiranë


Davutoglu dhe Bushati diskutojnë për dokumentin e partneritetit strategjik. Parashikohen mbledhje të përbashëta të dy qeverive dhe asistencë teknike për Shqipërinë

Shqipëria dhe Turqia do të hartojnë së shpejti dokumentin e përbashkët që do të zyrtarizojë marrëdhëniet e një partneriteti strategjik mes dy vendeve. Kjo u bë e ditur sot në përfundim të takimit në Tiranë mes dy ministrave të Jashtëm. Qeveria e re e renditi Turqinë, krahas Italiasë dhe Greqisë si partnerin e saj strategjik. Niveli i ri i bashkëpunimit mes palëve synon të forcojë më tej marrëdhëniet tashmë të ngushta mes dy vendeve. Turqia do ndihmojë qeverinë e re edhe me këshilltarë në fushat e financave, energjisë, sigurisë dhe mbrojtjes

Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu është i pari shef diplomacie që viziton Tiranën pas formimit të qeverisë së re. Ndonëse marrëdheniet mes dy vendeve kanë qenë thuajse gjithnjë të një niveli shumë të lartë, angazhimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama për ta konsideruar Turqinë si një partner strategjik i ka dhënë një tjetër dimension këtyre raporteve.

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati tha se gjatë bisedimeve të sotme u diskutua rreth hartimit të dokumentit të partneritetit strategjik: “Dokumenti i cili do të formalizohet së shpejti dhe do të jetë objekt i diskutimeve të përbashkëta mes ministrive të Jashtme, do të përcaktojë një rrugë më cilësore të këtij bashkëpunimi dhe sigurisht më strategjike.Në fusha jo thjesht të interesit të ndërsjelltë, nga mbrojtja, siguria e deri të zhvillimet ekonomike, energjia turizmi dhe shëndetësia, por mbi të gjithë një dokument i partneritetit strategjik që nëse do të perifrazoja ministrin Davutoglu, do të bazohet mbi vlerat e përbashkëta që kanë vendet tona e përgjithësisht rajonin”

Edhe ministri turk Davutoglu vuri theksin te rëndësia e kësaj marrëdhënieje. “Ky projekt është tepër i rëndësishëm për ne dhe parashikon edhe zhvillimin e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive tona. Kjo tregon rëndësinë që i kushtojmë marrëdhënieve me Shqipërinë”, tha ai.

Ministri turk deklaroi se qeveria e tij do të japë edhe asistencë teknike ndaj Shqipërisë në fusha të rëndësishme: “Kemi vendosur të krijojmë mekanizmin e bashkëpunimit mes ministrive të ndryshme për cështje të caktuara për ti dhënë asistencë teknike Shqipërisë. Sot me mua janë dhe personalitete në fushën bankare, të energjisë, të sigurisë dhe mbrojtjes, që kanë ardhur për këshillim për Shqipërinë. Dëshiroj të theksoj se cdo sukses i Shqipërisë është sukses dhe për ne”.

Të dy ministrat theksuan se ata ndajnë të njejtat mendime për zhvillimet në rajon dhe më gjerë, duke qenë se të dy vendet janë edhe anëtare të Natos. Turqia është gjithashtu një aktor i rëndësishëm në projektin e gazsjellësit TAP, për të cilin ministri Bushati kërkoi mbështetje për një degëzim edhe drejt Kosovës: “Kërkuam nga ministri Davutoglu, mbështetjen e qeverisë turke për degëzimin e projektit TAP me Kosovën dhe për një lidhje më të mirë mes TAP dhe IAP ku Shqipëria për shkak të pozicionit është pika që i lidh të dy projektet”.

Ministri i jashtëm turk u prit sot nga autoritetet më të larta të vendit, presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryetari i parlamentit Ilir Meta si dhe nga kreu i opozitës Lulzim Basha.

Turqia do të jetë një partner strategjik i Shqipërisë krahas dy partnerëve tradicional, Italisë dhe Greqisë. Në harkun e 10 ditëve të ardhshme në Tiranë parshikohet të vijnë edhe ministrja e jashtme italiane Emma Bonino si dhe ministri i jashtëm grek Evangelos Venizellos.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG