Lidhje

FMN, BE shtrojnë presionin ndaj Greqisë për masa shtrënguese

  • Zëri Amerikës

FMN, BE shtrojnë presionin ndaj Greqisë për masa shtrënguese

FMN, BE shtrojnë presionin ndaj Greqisë për masa shtrënguese

Zyrtarët grekë do të përpiqen të bindin sot zyrtarët nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar se planet shtrënguese ekonomike do të jenë në gjendje të pakësojnë defiçitin buxhetor të vendit. Rezultati i një konference telefonike mes zyrtarëve do të përcaktojë në se Greqia do të jetë në gjendje të marrë një tjetër ndihmë në muajin tetor.

Ministri grek i Financave premtoi sot të zbatojë me rigorozitet planin për të arritur fitime në 2012-ën, vetëm disa orë para se ai të zhvillonte konferencën emergjente me zyrtarët e lartë evropianë dhe inspektorët e borxhit.

"Do të arrijmë këtë objektiv në se zbatojmë planin me rreptësi, në se biem dakort të gjithë si shoqëri, në se mobilizojmë të gjitha forcat, në se ka konsensus dhe besim dhe më pak vetëshkatërrim."

Objektivi i Evangelos Venizelos për të gjeneruar më shumë të ardhura vitin e ardhshëm sesa vendi shpenzon, përpara se të paguajë interesat e borxhit, vjen megjithë recesionin që ka goditur vendin në krizë.

Ekonomia e Greqisë pritet të tkurret me rreth 5 presje 5 përqind këtë vit.

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar Bob Traa i bëri thirrje qeverisë të shpejtojë reformat strukturore dhe të mënjanojë taksa të mëtejshme emergjente.

"Ka nevojë për masa shtesë në të ardhmen në mënyrë që defiçiti të pakësohet në një nivel të qëndrueshëm."

Greqia duhet të plotësojë kërkesat e BE-së dhe FMN-së për reforma ekonomike dhe shkurtimin e shpenzimeve në se kërkon të marrë pagesa të tjera nga ndihma.

Kur u bë e qartë në fillim të këtij muaji se Greqia kishte një mungesë prej 2 miliardë eurosh në buxhet, kreditorët kërcënuan të ndalin gjashtë pagesat nga paketa prej 110 miliardë euro që ishte rënë dakort majin e vitit të kaluar.

Pa pagesën prej 8 miliardë eurosh, Greqia përballet me falimentim deri në mes të tetorit.

Tregjet e aksioneve ndërkohë ranë sot ndërsa Greqia përpiqet të bindë kreditorët ndërkombëtar se mund të plotësojë detyrimet e borxhit në kthim të më shumë parave nga ndihmat, të nevojshme për të mënjanuar falimentimin qysh muajin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG