Lidhje

Panariti, optimist për gazsjellësin Transadriatik


Ministri i Jashtëm shqiptar tha sot se së shpejti do të ketë edhe një marrëveshje mes tre vendeve të interesuara Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë

Në Shqipëri ministri i jashtëm Edmond Panariti u shpreh optimist për ecurinë e projektit të gazsjellësit Transadriatik i cili parashikohet të dërgojë në Europë gazin e fushave të Azerbajxhanit duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë. Ministri Panariti tha sot se së shpejti do të ketë edhe një marrëveshje mes tre vendeve të interesuara. Ai hodhi poshtë zërat e përhapur nga mediat greke sipas të cilave Athina e kushtëzon mbështetjen e saj ndaj gazsjellësit me firmosjen e marrëveshjes së kufijve detare me Shqipërinë.


Projekti i gazsjellësit Transadriatik, ose Tap, përfshin Shqipërinë si një ndër nyjet kryesore të tij. Pas shumë vitesh diskutimesh, në mesin e 2013 parashikohet të merret edhe vendimi përfundimtar. Në garë me projektin e TAP-it është edhe projekti tjetër Nabucco i cili parashikon kalimin e gazit përmes Gjeorgjisë, Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Austrisë. Shanset për projektin Tap kanë ardhur duke u rritur. Ministri shqiptar I Jashtëm Edmond Panariti tha sot se ka marrë konfirmim nga të dy homologët e tij, italian dhe grek, për mbështetjen që këto vende i japin këtij projekti.



Javën e shkuar ministri italian i jashtëm Giulio Terzi, pas një takimi në Romë me atë grek Dimitris Avramopoulos, u shpreh se gazsjellësi Tap është prioriteti i të dy vendeve në javët e ardhshme. Italia ka rritur së fundmi interesin për gazsjellësin Tap pasi një tjetër projekt tjetër alternativ që e përfshinte atë, përmes kalimit nga Turqia dhe Greqia u rrëzua. Pak ditë më parë edhe tre nga kompanitë që zotërojnë konsorciumin i cili administron burimin gjigand të Shah Denizit në Azerbajxhan, deklaruan se janë të gatshëm të financojnë, gati me 50 përqind të kapitalit, projektin Transadriatik.

Tani nevojitet që Shqipëria, Italia dhe Greqia të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale me njëra tjetrën si dhe një marrëveshje treshe ndërqeveritare. "Është e rëndësishme që të tre vendet të nënshkriajnë një marrëveshje ku të tregojnë qartazi mbëstetjen specifike ndaj projektit të Transadriatik të gazësjellësit. Pa një mbështetje të qartë politike nga këto tre vende, shanset janë që ky projekt të miratohet në fund të këtij viti, nuk do të jenë aq të mëdha. Në momenti që ne do t’a nënshkruajmë këtë marrëveshje dhe kjo tashmë është e vendosur e do të bëhet shumë shpejt, shanset që ky projekt të miratohet do të jenë shumë të mëdha", u shpreh zoti Panariti.

Ministri shqiptar hodhi poshtë hipotezat e përhapura në mediat greke sipas së cilave Athina do ta kushtëzonte mbështetjen ndaj gazsjellësit me firmosjen nga ana e Tiranës së marrëveshjes për kufijtë detar: "Nuk ekziston asnjë varësi asnjë lidhje funksionale midis dy problemeve. Këto probleme do të trajtohen individualisht në mënyrë të vecantë, të pavarura nga njëra tjetra, pra progresi i njërës nuk do të kushtëzohet nga regresi, apo progresi i tjetrës"

Marrëveshja e parë e firmosur në 2009 nga qeveritë e të dy vendeve u hodh poshtë nga gjykata kushtetuese shqiptare si në shkelje me kushtetutën dhe traktatet ndërkombëtare. Ministri shqiptar shpjegoi se “si pikë referimi do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Janë krijuar grupe pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të cilat po punojnë intesivisht për të dalë me opsionet përkatëse, të cilët do të jenë edhe baza e negocimit të këtij problemi me qeverinë greke”.

Ministri Panariti nuk dha ndonjë afat, duke u shprehur se kjo cështje do të trajtohet në momentin e duhur. Ajo megjithatë pritet të jetë pjesë e bisedimeve që ministri i jashtëm shqiptar do të ketë me homologun e tij grek gjatë një vizite zyrtare në Athinë, të parashikuar për në muajin shtator.
XS
SM
MD
LG