Lidhje

Kosovë: Miratohen ligjet e fundit nga plani i Martti Ahtisaarit


Parlamenti i Kosovës miratoi sot një numër ligjesh nga të cilat varet procesi i përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së saj. Debatet ishin më të rrepta rreth ligjit për qendrën historike të Prizrenit dhe atij për fshatin Hoçë e Madhe, një fshat i banuar me shumicë serbe në rrethinën e Prizrenit.

Ligji për qendrën historike të Prizrenit parasheh që të gjitha veprimtaritë në qendrën e këtij qyteti përfshirë ndërtimet e shërbimet komunale, të rregullohen në mënyrë të veçantë, nga një mekanizëm i posaçëm, që do të përbëhej nga komunitetet fetare, komunitetet etnike dhe shoqëria civile.

Që në projektin e parë ai kishte nxitur reagime të shoqërisë civile dhe një pjese të partive politike sipas të cilave, ai i jep një zë më të fuqishëm Kishës Ortodokse në Kosovë, njësoj sikurse edhe ai për Hoçën e Madhe. Një pjesë e deputetëve të opozitës por edhe të koalicionit ne pushtet thanë se ligjet janë kundër kushtetuese.

Miratimi i tyre u përshëndet ndërkaq nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara, e cila nëpërmjet një komunikate u shpreh e kënaqur që, siç thuhet “Parlamenti i Kosovës ndërmori veprim për ta lëvizur shtetin më afër qëllimit të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur”.

Në komunikatë thuhet se ligjet për Prizrenin, Hoçën e Madhe, Procedurat e Administratës Tatimore, dhe për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndërmarrjet publike janë vetvetiu të mirë për Kosovën dhe kjo ishte gjëja e duhur për të bërë.

Ambasada i shpreh sic thuhet mirënjohje Parlamentit për miratimin e Kodit të ri Penal të Kosovës, i cili vendosë drejtësi dhe kuadër për zbatimin e ligjit dhe hapë rrugën për një sundim më të madh të ligjit dhe avancimin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës.

Miratimi i ligjeve u mirëprit edhe nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar Pieter Feith, sipas të cilit miratimi i ligjeve për Qendrën Historike të Prizrenit dhe fshatin Hoçë e Madhe, e forcon kornizën ligjore të Kosovës për mbrojtjen dhe ruajtjen e monumenteve dhe vendeve të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, miratimi i këtyre dy ligjeve e afron Kosovën një hap më afër plotësimit të angazhimeve sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin si dhe siguron respektimin e të drejtave dhe interesave të të gjitha palëve të interesuara.

Zoti Faith thekson se këto ligje janë jetike për trashëgiminë kulturore dhe historike të Kosovës. Ruajtja e kësaj trashëgimie është e rëndësisë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, nëpërmjet një komunikate thekson se “mbrojtja, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore është një vlerë qenësore evropiane që është për të mirën e Kosovës dhe banorëve të saj.

Kjo do të sigurojë që zhvillimi dhe ndërtimi i ardhshëm urban nuk do të dëmtojnë bukurinë dhe harmoninë e këtyre vendeve të veçanta, dhe do të ruajnë po ashtu trashëgiminë fetare dhe kulturore për gjeneratat e reja”.

Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, ndërsa një numër shtetesh që e kanë njohur atë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian themeluan grupin drejtues ndërkombëtarë për Kosovën dhe vunë Pieter Faith në postin e mbikëqyrësit të pavarësisë e cila vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar pret që deri në shtator t’i jap fund mbikëqyrjes së pavarësisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG