Lidhje

Pjesëmarrja e grave në ekonomi dhe politikë


Në Ditët kundër Dhunës ndaj grave, organizata joqeveritare përgatitën në Tiranë një seri studimesh mbi gjendjen e tyre. Vëzhgimet vërtetuan se gratë shqiptare janë pjesa më e varfër e shoqërisë, më e dhunuar fizikisht dhe më pak e përfaqësuar në institucione vendimarrëse. Sipas vëzhgimeve të Qendrës “Open Data Albania” gruaja shqiptare është më pak e përfaqësuar në fushën ekonomike, si zotëruese pasurish. Studimi i fundit mbi regjistrimin e pasurive nxori se nga 850 shoqëri aksionere vetëm 150 prej tyre kanë të paktën një aksionere grua.

Nga 7 mijë e 800 persona aksionerë në shoqëri aksionere, vetëm 2560 prej tyre janë femra. Në dukje ato zënë 30 për qind e numrit të përgjithshëm të aksionerëve, por në fakt femrat zotërojnë realisht vetëm 8 për qind të kapitalit të aksioneve, kundrejt 92 për qind që zotërojnë burrat. Drejtuesja e qendrës dhe autore e studimit, Aranita Brahaj, thotë se e njëjta gjendje dhe mendësi ekziston edhe sa i takon pronave familjare, ku gruaja punon për ta krijuar, por nuk e zotëron.

Aleanca për barazi gjinore ka nisur përpjekjet për edukimin e hershëm të të rinjve kundër dhunës në familje. Ajo ka krijuar filma dokumentarë dhe tryeza të rrumbullakëta me gjimnazet e Tiranës ku është diskutuar kundër dhunës në familje, për ta parandaluar atë sa më herët. Drejtuesja e Aleancës për Barazi Gjinore, Mirela Arqimandriti thotë se dhuna dhe diskriminimi gjinor ekziston në familje, në politikë, dhe sipas saj gjendja nuk është përmirësuar aspak.

Afrimi i zgjedhjeve vendore po shihet si një rast i mirë për të shtuar pjesëmarrjen e grave në institucionet vendim-marrëse. Organizatat joqeveritare po hartojnë projekte dhe po lobojnë me forcat politike për të shtuar më tej kandidimin e grave në pushtetin vendor, sepse pjesëmarrja e gruas në institucionet vendim-marrëse qendrore dhe vendore është në minimumin historik të demokracisë.

Altin Hazizaj përfaqësues i Koalicionin për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve, thotë se aktualisht pushteti vendor kontrollohet 98 për qind nga burrat. Sipas tij, fuqizimi politik i grave është i domosdoshëm dhe se kjo mund të nisë me zgjedhjet vendore, për të cilat është propozuar rritja e kandidimit të gruas në 30-40 për qind.

Analistët vërejnë edhe një ndarje të dëmshme të grave në grupe të caktuara politikane, biznesmene, veprimtare, punëtore, mësuese apo studiuese, ndarje që ia humbet forcën atyre vetë cështjes së tyre për më shumë të drejta. Ata pohojnë që pavarësisht nga disa ndarje të tilla, ato nuk mund të shihen të ndara; se një e drejtë u sigurua mjaftueshëm dhe një tjetër më pak. Por grave shqiptare u duhen garantuar njëlloj të gjitha të drejtat dhe mundësitë njëkohësisht, jo sic po shihen deri tani në Shqipëri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG