Lidhje

Tiranë: Koalicioni për Zgjedhje të Lira kërkoi depolitizimin e komisioneve zgjedhore


Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme dhe për Demokraci të Qëndrueshme u kërkoi sot zyrtarëve dhe partive politike, që të nisin reformën zgjedhore, duke vendosur si parim bazë pavarësinë e administratës zgjedhore.

Reforma zgjedhore në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:51 0:00

Koalicioni shprehu shqetësim për vonesat në nisjen e reformës zgjedhore, e cila zakonisht zvarritet deri ditët e fundit, dhe kërkoi nisjen sa më parë të saj.

Përfaqësues të Koalicionit për Zgjedhje të Lira u bënë thirrje aktorëve politikë që të tërhiqen nga presionet dhe protagonizmi politik në administrimin zgjedhor dhe t'i hapin rrugën profesionalizmit të teknicienëve në këtë proces.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme tha se reforma zgjedhore e saponisur duhet të garantojë pavarësinë e administratës gjedhore.

Drejtuesja e Koalicionit Mirela Arqimandriti, thotë se parakushti për të barazuar komisionerët partiakë në administratën zgjedhore i ka politizuar dhe monopolizuar zgjedhjet.

“Tani depolitizimi i komisioneve zgjedhore është një domosdoshmëri”, - tha ajo.

Ashtu si OSBE një ditë më parë, edhe Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme shprehu shqetësim për shkarkimin e komisionerëve partiakë deri një ditë para zgjedhjeve dhe trajnimin brenda pak orëve të disa komisionerëve të tjerë, që bllokojnë procesin nga padija dhe nga besnikëria partiake.

OSBE u bëri thirrje dje zyrtarëve dhe partive politike që të nisin reformën zgjedhore pa humbur kohë.

Zyra e OSBE-së në Shqipëri publikoi një deklaratë, ku theksoi se ky proces shumë i rëndësishëm duhet përfunduar në kohë për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

Kryetari në detyrë i Zyrës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, e bëri sot këtë deklaratë, pas përfundimit të afatit të ankimeve për zgjedhjet e 11 shtatorit 2016 për kryetarin e bashkisë së Dibrës:

Zyra e OSBE-së është e përgatitur të ofrojë mbështetje teknike dhe ekspertizë për reformën zgjedhore, sapo komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore të fillojë punën.

“Ne ndajmë të njëjtin shqetësim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zëvendësimin e mbi 98 për qind të komisionerëve të qendrave të votimit një ditë përpara zgjedhjeve. Partitë politike duhet ta marrin më seriozisht menaxhimin profesional të zgjedhjeve, në mënyrë që sistemi të jetë i besueshëm” - thuhet në deklaratën e OSBE-së.

Sipas saj, procesi zgjedhor në Dibër tregoi se vendi ka nevojë për një reformë zgjedhore tërësore, e cila duhet të sigurojë depolitizimin e organeve të administrimit të zgjedhjeve, si dhe barazinë gjinore në komisionet zgjedhore.


XS
SM
MD
LG