Lidhje

Vizita e Papa Franceskut në Shqipëri, përgatitje dhe mesazhe


Shqipëria po bën përgatitje të shumta për të mirëpritur Papa Franceskun gjatë vizitës së tij më 21 shtator në Tiranë. “Rëndësia e kësaj vizite është e madhe, thotë ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro, kryesuese e komitetit organizator. Vizita e parë e Papa Franceskut, - theksoi ajo - po e kthen edhe një herë vështrimin e gjithë botës nga Shqipëria dhe shqiptarët, të cilët po përpiqen të zhvillohen dhe të integrohen në Bashkimin Europian.

Zëri i Amerikës: Zonja ministre! Ju kryesoni komisionin shtetëror për organizimin e vizitës së Papa Franceskut më 21 shtator. Si po shkojnë përgatitjet për këtë vizitë?

Mirela Kumbaro: Na u desh të bëjmë punime jo thjesht për një vizitë, por punime rehabilituese në ndërtesa, të cilat ishin të paprekura prej disa dhjetëra vitesh. U punua pa ndërprerë dhe javën që vjen të gjitha kantieret do të jenë të mbyllura, sepse do të kthehen në veprimtari funksionale. Pallati i Kongreseve do të jetë një qendër e madhe shtypi, në sheshin Nënë Tereza do të mbahet mesha e Papa Franceskut, po ashtu Muzeu Historik Kombëtar do të ketë një sërë veprimtarish, edhe një rrugë në Fushë-Krujë po rregullohet sepse Papa do të vizitojë një qendër Bethany. Sheshi Nënë Tereza ishte një shesh, në ndërtesat e të cilit nuk ishte vënë asnjëherë dorë as në rregullimin e shkallëve, as në fasada, dhe sidomos imazhi ishte pushtuar nga ndërtime ilegale; një pjesë u pastruan dhe një pjesë u shpronësuan.

Dua të theksoj se vizita e Papës nuk është ngjarje vetëm për komunitetin katolik. Kjo është një ngjarje për të gjithë shqiptarët, për ata që jetojnë në Shqipëri, për ata që jetojnë në shtete të tjera në Ballkan dhe në diasporë, por unë besoj se është po aq e rëndësishme jo vetëm për të gjithë shqiptarët, por edhe për të gjithë banorët e Ballkanit dhe të Europës.

Zëri i Amerikës: Çfarë veprimtarish po organizoni në Shqipëri, nisur edhe nga fakti që klerikët shqiptarë janë figura të njohura të kulturës dhe të albanologjisë shqiptare?

Mirela Kumbaro: Një kalendar i pasur me ekspozita është përgatitur; një konferencë shkencore e komunitetit katolik, një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare për të treguar gjurmët dhe ndikimin e krishtërimit në kulturën dhe letrat shqipe; një ekspozitë në Galerinë e Arteve me ciklin e pikturave fetare të Lin Delisë, një piktori të njohur me origjinë shqiptare që ka jetuar në Itali; të gjitha këto do të kulmojnë me një ekspozitë që ne e kemi quajtur “Besim”, e cila është një përkthim estetik dhe artistik i atmosferës që ekziston historikisht dhe aktualisht në aktualitetin shqiptar të një bashkëjetese, të ndarjes së një territori në të mirë e në të keq të komuniteteve fetare; si edhe përgatitja e dy filmave dokumentarë me karakter historik të përgatitura nga arkivi i filmit.

Zëri i Amerikës: Çfarë projektesh keni për të rivlerësuar dhe për të nxjerrë në dritë klerikë të shquar në shekuj me origjinë shqiptare, krahas Nënë Terezës së mirënjohur për humanizmin nga brezat e sotëm?

Mirela Kumbaro: Në radhë të parë është rivlerësimi dhe sjellja në kujtesë e të gjithë atyre personazheve, të cilët në botën e besimit fetar, qoftë atij musliman, ortodoks apo katolik dhe bektashi, kanë kontribuar në ndërtimin e këtij kombi si edhe në qytetarinë e Shqipërisë. Ata kanë kontribuar me edukim, me shkollë, në pavarësimin e Shqipërisë, kanë kontribuar edhe në ruajtjen e një identiteti dhe një stabiliteti human. Mos harrojmë që Shqipëria është vendi unikal ku për 40 vjet çdo koncept fetar, njerëz dhe institucione u dënuan, u persekutuan, u martirizuan. Kjo nuk duhet harruar. Kjo është e njëjtë për të gjitha komunitetet fetare, ndonëse kemi një martirizim dhe persekutim shumë më të egër dhe më të thellë mbi komunitetin katolik. Sigurisht që do të ketë një rikujtim të këtyre figurave fillimisht me disa koncerte, ku do të lexohen tekste të figurave të shquara të klerit të viteve 20-30 të shekullit të kaluar. Ato janë edhe elitat e shekullit të kaluar të shqiptarëve. Të tilla do të zhvillohen në katedralen e Shkodrës, të Durrësit, të Lezhës dhe të Tiranës.

Zëri i Amerikës: Zonja ministre! Cili është komenti dhe vlerësimi juaj lidhur me jetën e Shqipërisë në kohën midis vizitave të dy papëve, Papa Gjon Palit të Dytë 22 vjet më parë dhe Papa Franceskut sot?

Mirela Kumbaro: Vizita e parë ishte në kohën kur ne sapo kishim dalë nga diktatura me thirrjen e përbashkët “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, e cila edhe sot është po aq aktuale. Ky mesazh ringjalljeje vazhdoi me vizitën që kreu Papa Gjon Pali i Dytë në Shqipëri në fillim të viteve 90. Ndërsa sot, për koincidencë, konfirmimi i vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri erdhi në të njëjtën kohë me marrjen e statusit kandidat për në Bashkimin Europian. Ky konfirmim për rrugën europiane të Shqipërisë erdhi nga dy institucione krejt të pavarura njëra nga tjetra; nga një botë shpirtërore dhe nga një botë institucionale. Ky është konfirmimi i punës së shqiptarëve, i këtij hopi të jashtëzakonshëm, që Shqipëria e meriton sot që të jetë në Europë, pjesë e saj, pas përpjekjeve demokratike institucionale që ka bërë, ashtu edhe me dimensionin e saj human dhe shpirtëror.

XS
SM
MD
LG