Lidhje

Misioni i vëzhguesve të ODHIR-it publikoi raportin e parë të ndërmjetëm mbi zgjedhjet vendore të 8 majit

  • Armand Mero
  • Tiranë

Misioni i vëzhguesve të ODHIR-it publikoi raportin e parë të ndërmjetëm mbi zgjedhjet vendore të 8 majit

Misioni i vëzhguesve të ODHIR-it publikoi raportin e parë të ndërmjetëm mbi zgjedhjet vendore të 8 majit

Raporti i vëzhguesve përfshin periudhën nga 27 marsi deri më 11 prill. Ashtu sic edhe pritej ai është më tepër një material përshkrues dhe konstatues dhe shmang në pjesën dërrmuese një vlerësim të ngjarjeve.

Vëzhguesit shprehen se “kuadri ligjor është vlerësuar paraprakisht dhe është konstatuar se siguron themelin për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, nëse – sic thuhet në raport – ai zbatohet me përpikmëri dhe me synimin që të respektohet përmbajtja dhe fryma e ligjit”.

Ligji i zgjedhjeve u ndryshua me konsensus të të dy forcave kryesore politike para zgjedhjeve të 2009, por këto ndryshime në të vërtetë nuk përfshinë kapitullin për zgjedhjeve vendore. Vëzhguesit vërejnë se “Kodi zgjedhor ka një sërë hapësirash boshe dhe përmban paqartësi në lidhje me zgjedhjet lokale, psh ai nuk shprehet qartë nëse ka një prag në lidhje me përfaqësimin në këshillat vendore, dispozitat për financimin e fushatës me fondet publike nuk gjejnë zbatim të plotë për zgjedhjet vendore dhe nuk ka dispozitë lidhur me regjistrimin e kandidatëve për bashkinë e Tiranës pasi ligji nuk specifikon një organ kompetent për administrimin e zgjedhjeve”

Duke ju referuar Kodit, vëzhguesit shpjegojnë se ai ”përcakton një prag prej 3 përqind për partitë dhe 5 përqind nëse ato janë pjesë e koalicionit për shpërndarjen e vendeve sipas sistemit propocional”, por ky prag është i vlefshëm për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe nuk përcaktohet mënyra e shpërndarjes proporcionale të vendeve në këshillat komunal e bashkiak.

Vëzhguesit shpjegojnë se Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve u ka thënë atyre se edhe per keto zgjedhje “do të përdoret i njëjti prag si për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare”.

Në raport përshkruhet edhe i gjithë kalvari që ka shoqëruar përgatitjet zgjedhore që nga mungesa e më pas rikthimi i tre anëtarëve që përfaqësojnë opozitën në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, vonesat në ngritjen e Komisioneve Zonale, debatet për listat e zgjedhësve ku ata përshkruajnë procedurat e ndjekura dhe konfliktin e lindur pas dyshimeve të opozitës se po shtohen njerëz në njësitë vendore të kontrolluara nga demokratët dhe LSI vecanërisht në Tiranë dhe kërkesën e socialisteve për të patur listat e përditësuar e cila u hodh poshtë nga Ministria e Brendshme.

Ministria e Brendshme dha informacion publik më 9 prill se Lista Përfundimtare e Votuesve për zgjedhjet vendore të 2011-ës përmban 3,164,859 votues, rreth 23,200 më pak se Listat Paraprake të Votuesve. Votuesit mund të kontrollojnë të dhënat e tyre individuale në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme dhe KQZ-së, dhe partitë kanë të drejtën të marrin një kopje të gjithë listës së votuesve.

Duke iu referuar klimës politike vëzhguesit nënvizojnë atmosferën e nxehtë që i ka paraprirë këtyre zgjedhjeve, që nga konflikti i ndezur pas zgjedhjeve të 2009 deri te protesta dhe demonstrata e 21 janarit.

Vëzhguesit shprehen se megjithëse “të dyja partitë më të mëdha kanë deklaruar të kenë si prioritet që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR, PS nuk beson se do të ndodhë kështu”, ndërsa Partia Demokratike ka shprehur besim të plotë në procesin zgjedhor.

Në raport nënvizohet fakti se “ndërsa periudha zyrtare e fillimit të fushatës ishte 8 prilli, partitë e kishin filluar fushatën në mënyrë aktive para asaj date. Sulmet e ashpra personale vazhduan të karakterizojnë fushatën.

Si PD ashtu dhe PS janë përqëndruar në garën për bashkinë e Tiranës”, nënvizon raporti.

Vëzhguesit vërejnë se “intensiteti i fushatës pas 8 prillit është rritur dhe sulmet e ashpra personale kanë vazhduar të karakterizojnë fushatën me akuza për korrupsion nga të dyja anët.”

Lidhur me incidentet e ndodhura në raport përmenden vetëm ato të dy javëve më parë ndërsa shpjegohet se në shumë raste vendosja e flamujve dhe e banderolave është bërë objekt grindjesh.

XS
SM
MD
LG