Lidhje

Donald Trump dhe Miss USA


Konkursi Miss USA është përfshirë këtë vit nga debatet. Aktiviteti i përvitshëm ka hasur probleme pasi biznesmeni dhe kandidatit republikan për president Donald Trump që është bashkëpronar i Organizatës Miss USA, bëri komente ofenduese për emigrantët meksikanë.

Pasi Donald Trump iu referua meksikanëve si “kriminelë, trafikantë droge, përdhunues, etj”, shumë kompani i shkëputën lidhjet me të, përfshirë televizionet Univision dhe NBC që zakonisht transmetojnë Miss USA.

Gjithsesi qëndrimi i disa prej konkurrenteve është se spektakli duhet të mbahet.

Kenzi Novell që përfaqëson shtetin e Uashingtonit, shpjegoi se si po ndikon debati tek vajzat në garë.

“Si ndikon tek ne? Ne mund të kontrollojmë vetëm veprimet tona, nuk mund të kontrollojmë asgjë tjetër. Nuk besoj se kjo më bën më nervoze. Më shton energjinë që t’u tregoj të gjithëve se mund ta kapërcejmë këtë situatë dhe të mbështesim njëra-tjetrën”.

Katie George, Miss Kentucky tha se të vetmet gjëra që mund të kontrollojë janë “mendja, trupi dhe shpirti i saj”.

“Dua të jem e përqendruar mendërisht dhe fizikisht dhe dua të përfaqësoj Kentakin sa më mirë që të mundem”.

Miss Nebraska Hoan-Kim Cung, sjell perspektivën e saj si bijë emigrantësh vietnamezë.

“Unë jam e vetmja në familjen time që kam lindur në Amerikë, e gjitha familja ime ka emigruar nga Vietnami. Babai im luftoi në luftën e Vietnamit dhe më pas së bashku me mamanë, menduan që ardhja në Amerikë ishte gjëja më e mirë për familjen tonë. Sepse ka liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe ka shumë mundësi këtu. Një vajzë si unë përndryshe nuk do të kishte mundësinë që të përfaqësonte shtetin e saj në garë. Do të ishte vërtet e vështirë”.

Por me gjithë entuziazmin e konkurrrenteve dhe vendimin për ta mbajtur vëmendjen tek konkursi, shumë emra të tjerë janë tërhequr për shkak të lidhjes së organizatës që e mban atë me Donald Trumpin, përfshirë këngëtarë dhe drejtuesit e spektaklit.

Konkursi do të transmatohet nga kanali televiziv Reelz këtë të dielë dhe stacioni thotë se i bleu të drejtat e transmetimit se ky aktivitet është “një pjesë integrale e traditës amerikane”.

XS
SM
MD
LG