Lidhje

Mit Romni në mbrojtje të besimit të tij fetar

  • Xhim Malon

Mit Romni në mbrojtje të besimit të tij fetar

Mit Romni në mbrojtje të besimit të tij fetar

Në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, një anketë e organizuar nga CNN dhe ORC tregon se ish guvernatori i Masaçusetsit Mit Romni ka një epërsi të ngushtë ndaj sipërmarrësit nga Xhorxhia Herman Kein. Shumica e analistëve politikë e konsiderojnë ish-guvernatorin Romni pretendentin kryesor për marrjen e emërimit të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, por ai po sulmohet për bindjet e tij fetare. Mit Romni është anëtar i kishës mormone, e cila në përgjithësi ndjek parimet e krishtera por i referohet themeluesit të vet dhe ka librin e saj të shenjtë, që është e ndarë nga bibla e të krishterëve.

“Ai është konservator i vërtetë dhe besimtar i sinqertë në Jezu Krishtin”!

Kështu u shpreh pastori evangjelist Robert Xhefres, i cili mbështet kandidaturën e guvernatorit të Teksasit, Rick Perry.

Xhefres favorizon Perrin ndaj Romnit sepse ish-guvernatori i Masaçusetsit është i besimit mormon.

“Sipas mendimit tim, mormonizmi është kult. Zgjedhja e një kandidati mormon i jep kredibilitet një kulti”.

Pastori Xhefres thotë se mormonët janë njerëz me moral, por nuk janë pjesë e linjës kryesore të krishterimit. Ky vlerësim është ofendues për Linda Xhensen.

“Nuk është kult. Ne nuk kemi brirë. Nuk martohemi me shumë gra. Duhet ta kapërcejmë këtë debat.”

Shumë amerikanë preferojnë ta mbajnë të ndarë politikën nga feja. Por kjo nuk funksionon gjithmonë. Perri dhe Romni debatuan mbi komentet e zotit Xhefres gjatë debatit të fundit të republikanëve në Las Vegas.

“Ai individ ka shprehur mendimin e tij. Nuk jam dakord me mendimin e tij dhe e kam thënë këtë. Por fakti është se amerikanët e kuptojnë besimin dhe ata e kanë humbur besimin në drejtuesin e tanishëm të Shtëpisë së Bardhë”

“Ideja se ne duhet të zgjedhim njerëzit në bazë të besimit të tyre për një post publik është shqetësuese për mua sepse themeluesit e këtij vendi e kanë vendosur në kushtetutë që ne nuk duhet të zgjedhim përfaqësuesit tanë në qeveri në bazë bindjeve të tyre fetare”.

Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve janë tolerantë ndaj larmisë së pikëpamjeve fetare, përveç pikëpamjeve ekstreme.

Kjo është pasqyruar në një anketë të kohëve të fundit në Los Angeles.

“Unë kam probleme me ekstremistët sepse ata thjeshtë predikojnë për të gjithë dhe presin që të gjithë të besojnë si ata”, tha një grua.

“Unë jetoj në Arizona, ku ka shumë njerëz të besimit mormon dhe ata komunikojnë në të njejtën mënyrë siç komunikojnë ata të besimit katolik, protestant, baptist. Secili ka bindjet e veta”, tha një burrë.

Mit Romni mund të jetë në disavantazh nga fakti se disa votues të krishterë nuk janë të gatshëm ta mbështesin atë, thotë Daniel Cox i Instititutit për Studimin e Fesë.

"Evangjelistët janë pjesë e rëndësishme e elektoratit në zgjedhjet paraprake të republikanëve. Ata përfaqësojnë përgjithësisht një në 4 votues, dhe përbëjnë një pjesë të madhe të elektoratit të republikanëve, veçanërisht në shtetet si Ajova, Karolina e Jugut dhe Florida”.

Por zoti Cox thotë se ka një mënyrë përmes të cilës Romni mund t’i kapërcejë këto mëdyshje.

“Nëse Romni arrin t’i bindë votuesit, veçanërisht votuesit evengjelistë në zgjedhjet paraprake të republikanëve, se ai ka vlera të përbashkëta politike me evangjelistët, ka të ngjarë që vlerat e tij fetare të mos luajnë rol të rëndësishëm.”

Nëse ai merr emërimin e Partisë Republikane dhe fiton ndaj presidentit Barak Obama në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Mit Romni do të bëhej presidenti i parë mormon në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG