Lidhje

I dërguari amerikan njofton për përparim në çështjen e vendbanimeve

  • Dejvid Gollast

I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçëll, tha mbrëmë se beson që po bëhet përparim në çështjen rreth pezullimit nga Izraeli të ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor. Zoti Miçëll foli në Jerusalem pas ditës së dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes të izraelitëve dhe palestinezëve, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dejvid Gollast, njofton nga Jerusalemi.

Zoti Miçëll po i përmbahet një marrëveshjeje mes palëve për të mos folur rreth përmbajtjes së bisedimeve. Por ai thotë se beson që është bërë përparim në çështjen e vendbanimeve, e cila ka paraqitur rrezik për ndërprerjen e bisedimeve.

Palestinezët janë kërcënuar se do të braktisnin bisedimet nëse kryeministri izraelit Beniamin Netaniahu nuk zgjat moratoriumin dhjetë mujor që skadon këtë muaj për të pezulluar shumicën e ndërtimeve të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur zgjatjen e afatit të moratoriumit, ndërsa palestinezët kanë thënë se do t'ia lehtësojnë zotit Netaniahu miratimin e vendimit në qeverinë e tij të koalicionit të djathtë.

Edhe pse nuk dha hollësi, zoti Miçëll tha, pas dy orë takimesh tripalëshe në rezidencën e zotit Netaniahu, se mendonte që po bëhej përparim në çështjen.

Ai vlerësoi zotin Netaniahu dhe presidentin palestinez Mahmud Abas, për qendrimin ndaj bisedimeve, duke thënë se ata janë seriozë dhe të përqendruar në punë.

Sipas zotit Miçëll, bisedimet e reja për Lindjen e Mesme, të cilat filluar në Uashington këtë muaj dhe vazhduan të shtunën në Egjipt, kanë ecur në çështjet thelbësore.

"Në këtë rast, brenda pak ditësh, në Sharm el-Sheik dhe sonte këtu, udhëheqësit janë angazhuar drejtpërdrejt, me vrull dhe seriozitet në çështjet më të vështira dhe më të ndjeshme me të cilat do të merren. Andaj kujtoj se ky është tregues i qartë i sinqeritetit dhe seriozitetit në punë."

I dërguari Miçëll theksoi se bisedimet për çështjet thelbësore, të cilat përfshijnë Jerusalemin, refugjatët dhe kufijtë e shtetit palestinez, nuk janë njëlloj sikur zgjidhja e tyre. Por ai tha se ka qenë tejet mbresëlënëse që të dy udhëheqësit të angazhoheshin seriozisht.

I dërguari amerikan tha se të dy udhëheqësit kanë ngarkuar zyrtarë për vazhdimin e dialogut dhe për të planifikuar takimin e ardhshëm të nivelit të lartë, i cili ka të ngjarë të mbahet në Nju Jork, ku udhëheqësit do të mblidhen për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së javën që vjen.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton, e cila udhëhoqi ekipin amerikan në bisedimet trepalëshe të kësaj jave, kthehet në Uashington sot pasdite pasi të jetë takuar me zotin Abas në Ramallah dhe Mbretin Abdullah të Jordanisë në Aman.

Zoti Miçëll udhëton sot për në Damask për t'u takuar me Presidentin Bashar el-Asad dhe zyrtarë të lartë sirianë në përpjekje për të përtërirë kontaktet për paqe mes Sirisë dhe Izraelit, të cilat thotë se do të ishin plotësuese dhe të dobishme për bisedimet mes palëve.

Ai niset në mbrëmje për në Bejrut për diskutime të ngjashme me presidentin libanez Mishel Suleiman dhe kryeministrin Saad Hariri.

XS
SM
MD
LG