Lidhje

Vlerësime për zgjedhjet në veriun e Mitrovicës


Ambasada amerikane dhe Misioni i BE-së për sundimin e ligjit shprehen të kënaqura me rrjedhën e procesit të rivotimeve në veriun e Mitrovicë.

Ambasada amerikane në Kosovë është shprehur sot e inkurajuar nga raportet paraprake për pjesëmarrjen e lartë në zgjedhje dhe proces të sigurt dhe të rregullt të votimit në veriun e Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe. Në një komunikatë për opinion të ambasadës thuhet se zgjedhjet lokale japin një mundësi të rëndësishme për të ndikuar në vendimet që janë të rëndësishme për qytetarët.

Megjithatë, ambasada thotë se po ndjek nga afër raportet lidhur me parregullsitë në qendrat votuese dhe pret që të gjitha çështjet të zgjidhen në përputhje më ligjet e Kosovës.

Në reagim përshëndeten përpjekjet e Policisë së Kosovës për të siguruar që të gjithë qytetarët të kenë mundësinë të votojnë pa frikë nga dhuna apo frikësimi, ndërsa vlerësohet edhe angazhimi i Misionit të OSBE-në, EULEX-in dhe KFOR-in për ndihmesën e tyre në suksesin e votimeve të djeshme.

Edhe Misioni i EULEX-it vlerëson se të dielën janë përmbushur detyrat e mekanizmave të sigurisë për ta garantuar sigurinë e votuesve, të anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit dhe të lehtësuesve të zgjedhjeve nga OSBE-ja.

Shefi i këtij misioni Bernd Borchard citohet të jetë shprehur i kënaqur “që procesi i votimit dje u krye në mënyrë të qetë, pa incidente të mëdha, duke ju ofruar mundësi qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Bashkërendimi ndërmjet EULEX-it, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe OSBE-së ishte i shkëlqyeshëm”, ka thënë ai.

Rreth 23 për qind nga rreth 23 mijë votues të regjistruar, morën pjesë në procesin e rivotimeve në veriun e Mitrovicës, një proces që ishte ndryshe nga tre nëntori, kur u mbajt raundi i parë i zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë.

Më tre nëntor, votimet në veri të Mitrovicës u dëmtuan nga incidentet e dhunshme, kur persona të maskuar ndërhynë dhe shkatërruan kutitë e votimit duke detyruar largimin e komisionit të zgjedhjeve, vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë dhe të përfaqësuesve të Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, që është përfshirë në lehtësimin e votimeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Zyrtarët e Beogradit thanë se sulmuesit janë kryesisht pjesëtarë të organizatave djathtiste nga Serbia që kishin hyrë në Kosovë më tre nëntor për të ndihmuar grupet politike që kundërshtojnë përfshirjen e serbëve në institucionet e Kosovës.

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve por edhe vëzhguesit vendas thanë se votimet nuk janë përcjellë me probleme që mund të ndikojnë në proces, ndonëse janë regjistruar shumë paqartësi me listat e votuesve, votimin e dyfishtë por edhe ndërhyrje për të udhëzuar mënyrën e votimit.

Votat janë duke u numëruar në Prishtinë dhe ende nuk është i qartë rezultati i votimeve në të cilat janë përballur pesë subjekte e nisma qytetare serbe, boshnjake e shqiptare.

Zgjedhjet e sivjetme për pushtetin komunal në Kosovë janë të parat në të cilat janë përfshirë edhe komunat veriore me shumicë serbe, të cilat praktikisht funksionojnë nën kontrollin e Beogradit. Zyrtarët serbë u pajtuan me përfshirjen e tyre në kuadër të sistemit të Kosovës, pavarësinë e së cilës nuk e njohin, në këmbim të përshpejtimit të proceseve integruese evropiane.

Pajtimi ishte pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në prill të këtij viti në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Sipas kësaj marrëveshjeje pas zgjedhjeve atje do të krijohet bashkësia e komunave serbe me një shkallë të gjerë autonomie.

Beogradi e sheh veriun e Mitrovicës si qendrën e kësaj bashkësie, ndërsa i ka siguruar serbët se më pushtetin komunal ata do të ruajnë lidhjet e tyre me Serbinë, ndërsa Prishtina i sheh zgjedhjet si hapin e parë të rëndësishëm drejt integrimit të veriut që është skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG